Lidhje

Gripi i derrave dhe sapuni antibakterial


Me shfaqjen e virusit H1N1, ekspertët e shëndetësisë po ngrenë me të madhe rëndësinë e masave higjenike, si larjen e shpeshtë të duarve për të parandaluar infektimin. Por studimet tregojnë se sapuni anti-bakterial nuk është më i efektshëm se sapuni i thjeshtë kur është fjala për të parandaluar sëmundje. Biles, disa mjekë paralajmërojnë se përdorimi në masë i këtij lloj sapuni mund të jetë i rrezikshëm:

Disa studime arrijnë në përfundimin se rreth 70 për qind e sapunëve të lëngshëm në dyqane kanë përbërës anti-bakterialë, si kimikati triclosan. Allison Aiello është pedagoge e epidemiologjisë në Universitetin e Miçiganit. Zonja Aiello shpjegon se ka analizuar mbi 20 studime lidhur me sapunët anti-bakterialë që përmbajnë triclosan. Ajo thotë se ky kimikat i vret bakteriet duke shkatërruar muret qelizore të bakteries.

Por zonja Aiello thotë se po shtohen provat se megjithëse sapuni anti-bakterial vret mikrobet, ai nuk është më i efektshëm se sapuni i thjeshtë për parandalimin e sëmundjeve. Sapuni i thjeshtë, siç shpjegon zonja Aiello, është po aq i efektshëm në eliminimin e bakterieve si virusit H1N1:

“Sapuni i zakonshëm ka në përbërje një element që e bën bakterien të shkëputet nga lëkura e njeriut, dhe kur i fërkon duart për t’i shpërlarë, mikrobi rrëshqet me ujin.”

Aiello shpjegon se studimet u kryen me individë të shëndetshëm dhe se duhen bërë më shumë kërkime për të zbuluar nëse sapunët anti-bakterialë janë të efektshëm për individë në rrezik, me sistem të dobët imunitar, apo persona të moshuar.

Por ajo shton se është vërtetuar që sapunët anti-bakterialë janë të rrezikshëm. Sipas studimeve laboratorike, këto sapunë shtojnë rrezikun për bakterie që u rezistojnë anti-biotikëve:

“Kemi vërejtur gjatë studimeve në laborator se aktivizohen mekanizma që mund të rezultojnë në bakterie që u rezistojnë antibiotikëve, kur ekspozohen ndaj kimikatit triclosan.”

Zonja Aiello thotë se ky rrezik nuk është vërejtur në jetën reale. Por ajo paralajmëron se studiuesit duhet t’i mbajnë sytë hapur pasi kjo rezistencë mund të shfaqet gradualisht në të ardhmen.

Industria e sapunit e hedh poshtë këtë mundësi për rrezik të bakterieve rezistente ndaj antibiotikëve, si rezultat i sapunëve anti-bakterialë. Por fjala e fundit i takon Administratës amerikane për Ushqimet dhe Ilaçet. Kjo agjenci prej 30 vjetësh përpiqet të përcaktojë rregullat për prodhimin e këtij produkti, të cilat ende nuk janë hartuar në formë zyrtare.

Për momentin, i vetmi fakt me të cilin bien dakord si autoritetet, specialistët e shëndetësisë dhe industria e sapunit, është se amerikanët nuk i lajnë duart sa duhet. //ii

XS
SM
MD
LG