Lidhje

Gripi i derrave, a vjen ai vërtet nga derrat?


Ndërsa ekspertët e shëndetit mësojnë më shumë për shpërthimin e gripit të derrave A – H1N1 në Meksikë, shumë veta kanë filluar të shmangin përdorimin e termit grip i derrave për këtë sëmundje. Në fakt, lidhja mes prejardhjes së këtij gripi dhe derrave po vihet në pikëpyetje.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë të mërkurë mbrëma, presidenti Barak Obama u përpoq të shpjegojë se si vendi po i përgjigjet shpërthimit të gripit.

“Së pari, ne po vazhdojmë të vëzhgojmë rastet emergjente të virusit të gripit H1N1 në të gjithë Shtetet e Bashkuara,” tha ai.

Gjatë komenteve të tij presidenti shmangi përdorimin e termit “grip i derrave”. Në vend të kësaj ai përdori fjalën gripi pandemik. Në fillim të javës zoti Obama dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë përdornin termin “gripi i derrave”, por pastaj filluan të mos e përdorin më pas daljes së informacioneve të reja rreth këtij gripi.

Lobisti i industrisë së derrave, Dave Uarner, thotë se kontaktoi Shtëpinë e Bardhë në fillim të javës duke i vënë në dukje se termi “grip i derrave” mund të mos jetë emërtimi i duhur.

“Po, sepse ky nuk është grip i derrave. Është një grip njerëzish, me natyrë nga njeriu dhe prandaj përcillet aq lehtë nga njeriu në njeri.”

Ekspertët ende vazhdojnë përpjekjet për të gjetur se nga e ka prejardhjen ky grip dhe cila është mënyra më e mirë për ta frenuar atë. Por analizat gjenetike kanë treguar se prejardhja e virusit përmban elementë të gripit të shpendëve, njerëzve dhe derrave.

Drejtori i Qendrës për Sëmundjet e Reja Infektive të Universitetit Iowa, Gregori Gray thotë:

“Problemi me përdorimin e termit grip i derrave është se të gjithë mendojnë se ky virus lëviz në mënyrë më të efektshme në derra. Por, ne ende nuk e kemi të qartë këtë. Ka mundësi që ky virus të jetë adaptuar më shumë në qeniet njerëzore dhe tani mund të thuhet se virusi ka më shumë ngjashmëri me atë të njerëzve.”

Industria amerikane e derrave është shumë e ndjeshme ndaj përdorimit të termit “grip i derrave” për të përshkruar shpërthimin e këtij virusi. Lobisti Dave Uarner mendon se titujt e lajmeve me termin grip i derrave mund të nxisin mendime të gabuara në mendjen e konsumatorve.

“Disa njerëz më kanë pyetur se a është e rrezikshme të konsumohet mishi i derrit. Ata janë të shqetësuar pasi ky grip ka atë emër.”

Zoti Uarner thotë se konsumimi i mishit të derrit nuk është aspak i rrezikshëm duke thënë se prejardhja e gripit nuk është gjetur në asnjë nga derrat në Shtetet e Bashkuara.

Edhe për ata të cilët nuk e konsumojnë mishin e derrit, termi grip i derrave ka krijuar shqetësime. Një zyrtar i shëndetësis nga Izraeli sugjeroi që kjo sëmundje të quhet “gripi meksikan” pasi rregullat fetare hebraike të të ngrënit e ndalojnë mishin e derrit. Edhe myslimanët kanë kufizime të ngjashme për konsumimin e mishit të derrit.

Por qeveria e Meksikës menjëherë e kundërshtoi përdorimin e termit ‘grip meksikan’ duke thënë se ky term ishte fyes për vendin.

XS
SM
MD
LG