Lidhje

"Chrysler" kërkon falimentin


Prodhuesi amerikan i makinave, Chrysler do të deklarojë falimentin duke kërkuar mbrojtje nga kreditorët ndërkohë që do të marrë miliarda dollarë ndihma shtesë nga qeveria. Presidenti Obama konfirmoi dje plotësimin e dokumentacionit të falimentimit. Në marrëveshje përfshihet një partneritet me Fiatin italian – një hap ky që presidenti thotë se do të ndihmojë në shpëtimin e këtij simboli amerikn të automomjeteve.

Pasi refuzoi planet origjinale të ristrukturimit nga Chrysler muajin e kaluar si të paleverdishme për taksapaguesit amerikanë, presidenti Obama tha se vendimi i Chryslerit për të kërkuar sipas ligjit të falimentimit mbrojtje nga kreditorët, ishte masa e duhur.

"Pasi u konsultova me këshilltarët për industrinë e automobilëve, ju them se janë marrë hapat e nevojshëm për t'i dhënë kësaj kompanie një shans të ri."

Shansi i ri për Chryslerin përfshin një marrëveshje me prodhuesin italian Fiat. Zoti Obama thotë se bashkimi do të shmangë shkurtimin e më shumë se 30 mijë vendeve pune për Chryslerin, përfshirë mijëra vende të tjera në pikat e shitjeve dhe biznese të tjera që varen nga kompania.

"Ky partneritet do t'i japë Chryslerit një shans jo vetëm të mbijetojë, por të shkëlqejë në idustrinë globale të automobilëve. Fiati ka demonstruar se mund të prodhojë makina të padëmshme për ambjentin dhe të efektshme që janë e ardhmja për këtë industri, dhe si pjesë e kësaj marrëveshje Fiati ka rënë dakort të transferojë miliarda dollarë të teknologjisë më të fundit tek Chrysleri për ta ndihmuar atë të bëjë të njëjtën gjë. "

Qeveria i ka dhënë tashmë borxh 4 miliardë dollarë Chryslerit. Për ta ndihmuar në këtë tranzicion, ajo do të japë edhe 8 miliardë dollarë të tjerë.

Megjithëse falimentimi është zakonisht mundësia e fundit, ekspertët thonë se Chrysler nuk kishte shumë zgjidhje pasi një grup i vogël investitorësh kërkonin më shumë para.

Analisti John McElroy shpjegon:

"Ka disa banka të vogla dhe fonde investimesh. Pikërisht këtë duhet të zgjidhë gjykatësi i çështjes. Plus kësaj janë edhe çështje me marrëveshjet e pikave të shitjes."

Ndërkohë, General Motors po punon gjithashtu për planin e vet të ristrukturimit, që duhet ta dorëzojë më 1 qershor.

GM nuk ka përjashtuar mundësinë e falimentit por thotë se do të eleminojë disa marka dhe do të shkurtojë 21 mijë vende pune për t'i rezistuar konkurrencës.


XS
SM
MD
LG