Lidhje

Al-Kaida mbetet kërcënimi më i madh terrorist për Shtetet e Bashkuara


Raporti i ri vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit thekson se al-Kaida mbetet “kërcënimi më i madh terrorist” për Shtetet e Bashkuara. Në raportin mbi terrorizmin global thuhet se sulmet terroriste në Pakistan u dyfishuan muajin e kaluar.

Al-Kaida po e shfrytëzon Pakistanin për të riorganizuar dhe planifikuar sulmet në vendet perëndimore, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit. Al-Kaida dhe aleatët e saj po shfrytëzojnë zona të thella në Pakistan si strehime të sigurta dhe kampe stërvitjeje për terroristët. Në raport thuhet gjithashtu se al-Kaida ka dërguar luftëtarë nga Pakistani për kryengritjen në Afganistan.

Stabiliteti i Pakistanit u bë burim shqetësimi për Shtetet e Bashkuara vitin e fundit, ndërkohë që talebanët avancuan në një distancë 100 kilometrash nga kryeqyteti i vendit, Islamabad. Numri i sulmeve terroriste në Pakistan vitin e kaluar u dyfishua, thuhet në raport. Koordinatori i Departamentit të Shtetit për luftën kundër terrorizmit, Ronald Shliker, thotë se kërcënimi është në rritje.

"Neve do të na duhet të gjejmë mënyra për të trajtuar gjendjen në të gjithë zonën dhe jo vetëm ndihma jonë por edhe ndihma e komunitetit ndërkombëtar po e aftëson qeverinë e Pakistanit të përballojë problemet akute të sigurimit”.

Në raport thuhet se numri i vrasjeve nga sulmet terroriste nëpër botë ra rreth 30 përqind vitin e kaluar, kryesisht për shkak të rënies së theksuar të sulmeve terroriste në Irak. Në të thuhet se kërcënimi i al-Kaidës në Irak u pakësua si rezultat i largimit të anëtarëve të saj nga vendi dhe humbjes së kontrollit të organizatës terroriste në disa zona. Zoti Shliker thotë se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre kanë bërë përparim në luftën kundër terrorizmit.

"Udhëheqësit e al-Kaidës në Irak dhe Pakistan u vranë.Udhëheqësit terroristë u detyruan të merrnin arratinë dhe të qendronin të fshehur.Disa dhjetra vende miratuan ligje të reja kundër terrorizmit”.

Në raport vihet në dukje edhe një herë se Irani mbetet vendi kryesor që mbështet terrorizmin.Irani vazhdon të mbështesë grupet terroriste me qëllimin për të avancuar qëllimet e tij në rajon, përfshirë këtu grupet që vënë në shënjestër forcat e sigurimit dhe civilët në Irak. Zoti Shliker thotë se grupet terroriste po e shfrytëzojnë median për të promovuar çështjet e tyre. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë për t’iu kundërvënë propagandës së tyre më me efikasitet.

"Ne ende kemi përballë një armik me një shtrirje të gjerë bazash dhe tepër të adaptueshëm, që zotëron një makineri propagandistike profesionale dhe mjaft të sofistikuar. Ata përpiqen intensivisht që të shfrytëzojnë median dhe veçanërisht internetin për të arritur qëllimet e tyre”.

Në raport thuhet se operativët e al-Kaidës në Afrikën Lindore dhe ekstremistët al-Shabab në Somali përbëjnë kërcënimin më serioz për interesat amerikane dhe të aleatëve në rajon. Mbetet gjithashtu çështje kritike që Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, nuk bashkëpunon në përpjekjet e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin global. //iç//

XS
SM
MD
LG