Lidhje

Përpjekje për gjetjen e vaksinës që lufton virusin H1N1


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një numër laboratorësh në të gjithë botën po punojnë për prodhimin e një vaksine kundër gripit H1N1. Kjo organizatë e ka ngritur nivelin e rrezikut në kategorinë 5, vetëm një nivel më poshtë se kategoria e epidemisë globale.

Me shtimin e numrit të personave me virusin H1N1, po shtohen edhe përpjekjet për një vaksinë kundër sëmundjes.

Dr. Vilbur Çen, i cili kryesoi provat me vaksina kundër gripit të shpendëve në Universitetin e Merilendit, është ndër shkencëtarët që ndjekin prirjen e viruseve të kafshëve që transmetohen tek njeriu. Ai mori pjesë në një konferencë për kërkime mbi vaksinat në Baltimorë:

“Ne si kërkues në këtë fushë do të donim që e gjithë teknologjia të zhvillohej në mënyrë që të prodhojmë vaksina shumë shpejt.” - thotë ai

Por procesi i prodhimit të një vaksine kërkon 3 muaj e ndoshta më shumë kohë. Shkencëtarët injektojnë fillimisht virusin në një vezë pule dhe presin të zhvillohet.

Ed Mocarski është shkencëtar në kompaninë Medimune që prodhon vaksina:
“Vaksina duhet të provohet në kafshë për t’u siguruar se është e padëmshme për njerëzit dhe për të garantuar që është virus i dobët, që nuk do të shkaktojë sëmundje.”- thotë ai

Duhet gjetur baraspesha e vështirë mes efektivitetit në kohë dhe sigurisë në përdorim për vaksinën. Shkencëtarët kujtojnë me ankth programin masiv të vaksinimit kundër gripit të derrit në vitin 1976. Megjithëse nuk pati shpërthim epidemie, rreth 30 vetë vdiqën nga një çrregullim nervor i shkaktuar nga vaksina.

"Rreziku i reaksionit mund të jetë thjesht kalimtar, pra pacientët mund të kenë temperaturë për 2-3 ditë. Por ky problem është shumë i vogël krahasuar me efektin që ka për të shpëtuar jetë, nëse virusi përhapet në popullatën e gjerë.”- shton ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një numër laboratorësh po punojnë për prodhimin e vaksinës. Sipas ekspertëve, gripi i i derrit mund të zhduket për momentin dhe të rishfaqet pas disa muajsh. Prandaj shkencëtarët duhet të vendosin nëse ekziston një rrezik i madh që e bën të nevojshëm përfshirjen e këtij virusi në dozat e vaksinave që jepen në vjeshtë.

Shkencëtarët thonë se zgjedhja e këtyre viruseve nuk është shkencë ekzakte, pasi gripi merr forma të ndryshme.

Për momentin, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka këshilluar të gjitha vendet të hartojnë plane për gatishmëri në rast epidemie. //mm//
XS
SM
MD
LG