Lidhje

Tre punëtorë humbin jetën gjatë një shpërthimi në Kirkuk


Policia irakiane thotë se tre punëtorë humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën në një shpërthim bombe në anë të rrugës pranë qytetit verior të Kirkukut.

Një zyrtar i lartë policor tha se shpërthimi goditi automjetin e disa punëtorëve ndërsa po ato po udhëtonin në jug të Kirkukut.

Rajoni i Kirkukut, i cili njihet si vend me rezerva të mëdha nafte ndodhet në mes të një lufte për pushtet mes grupeve etnike dhe fetare përfshirë atë kurde, arabe, turke dhe të krishtera.

Në lajme të tjera, policia tha se një sulmues vetëvrasës u arrestua dje në hyrje të një xhamie shiite në Kirkuk. Amar Afif Hamada, i cili u identifikua si shtetas sirian, kishte lidhje me organizatën Al Kaeda.

Shefi i Policisë së Kirkukut tha se personi në fjalë kishte pranuar se kishte marrë pjesë në operacionet e Al Kaedës në Irak.

Dje, një zëdhënës i ushtrisë amerikane fajësoi organizatën Al Kaeda për shtimin e sulmeve kohët e fundit në Irak.

Gjeneral Majori Dejvid Përkins tha organizata terroriste ka shtuar sulmet me shpresën për të rifituar pozitën e humbur në kryeqytetin Bagdad dhe në qytetin verior të Mosulit. Sulmet në Irak janë shtuar kohëve të fundit pas një sërë muajsh relativisht të qetë. //ek

XS
SM
MD
LG