Lidhje

Një ish bazë ushtarake në Florida, kujtim i Luftës së Ftohtë


Roje të Parkut Kombëtar po punojnë për rehabilitimin e një baze raketash e cila ka luajtur një rol qendror në tensionet bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe ish Bashkimit Sovietik gjatë viteve 60. Uashingtoni e ndërtoi këtë bazë pak pas zbulimit të raketave sovietike rreth 300 km në ishullin e Kubës. Tanimë, kjo pikë historike po tërheq shumë njerëz, përfshirë edhe ish ushtarë amerikanë që e kanë përjetuar nga afër krizën me Kubën me raketat.

Parku Kombëtar “Everglades” ndodhet në pjesën fundore të gadishullit të Floridës. Shumë turistë udhëtojnë me orë të tëra për të vizituar këtë pikë.

"Kjo ishte ndërtesa ku raketat kalonin në fazën përfundimtare. Ndërtesat e tjera janë prishur prej kohësh”.

Këtë pranverë parku “Everglades” nisi organizimin e vizitave turistike në këtë vend që dikur ishte një bazë ushtarake e ndaluar.

"Këtu ndodheshin dikur raketat. Në çdo godinë ndodhej një raketahedhës”.

Tanimë këtu kanë mbetur vetëm godinat e zbrazëta. Pas mbylljes së bazës të gjitha pajisjet e raketave u hoqën nga këtu në vitet 1970. Disa godina të tjera ku dikur ndodheshin raketat janë shndërruar tashmë në një dyqan ushqimesh dhe një burg".

Uejn Lendri ka punuar si teknik i raketave të tipit “Nike”.

"Gjatë natës, kur binin sirenat do të qëndronim atje 24 orë. Unë do të shkoja në zonën e kontrollit të hedhjes së raketave dhe do të monitoroja situatën”.

"Në atë kohë po përballeshim me një rrezik të vërtetë. Radarët amerikanë dhe sistemet e mbrojtjes amerikane u vunë në provë nga avionët kubanë”.

"Sigurisht avionët amerikanë ndodheshin në ajër. Ne siguruam mbështetje ajrore për avionët tanë”.

Shumë ish ushtarë amerikanë e zhvilluan këtë tur gjatë pranverës. Kujtimet e tyre janë shumë të rëndësishme për krijimin e kujtesës historike për bazat me raketa të cilat mbetën aktive prej vitit 1962 deri në vitin 1979.

"I gjithë proçesi ka qënë i vështirë pasi ne nuk dinim nga të fillonim. Ka shumë detaje dhe jo çdokush e di sesi ka vepruar e gjithë njësia”.

Rreth 250 raketa të tipit “Nike” u përdorën në vitet 1960. Veteranët e asaj kohe i kujtojnë tensionet e asaj kohe gjatë krizës me raketa me Kubën. Ata e përkujtojnë me nostalgji atë kohë, pasi bazat me raketa nuk u vunë kurrë në përdorim.

"Askush nuk mund ta merrte vesh që aty ndodheshin raketa bërthamore. Sigurisht, jo të gjitha raketat ishin bërthamore por kjo mbahej sekret gjatë gjithë kohës”.

Parku Kombëtar shpreson se do të jetë në gjendje të ofrojë më shumë ture për vizitorët pranverën e ardhshme për të mbajtur gjallë ndodhitë e së kaluarës për brezat e ardhshëm. //ek

XS
SM
MD
LG