Lidhje

Kush do të jetë anëtari i ri i Gjykatës së Lartë amerikane?


Mund të kalojnë javë ose edhe muaj para se presidenti amerikan Barak Obama të bëjë emërimin e tij të parë për anëtarin e ri në Gjykatën e Lartë amerikane. Por ai tashmë ka filluar të marrë këshilla të shumta nga anëtarët e Kongresit rreth kandidatit që do të zëvendësonte gjykatësin Dejvid Suter, i cili së shpejti do të dalë në pension.

Ish republikani Arlen Spekter, i cili kohët e fundit ndryshoi parti duke u bërë demokrati më i ri në Senatin amerikan po i bën thirrje presidentit të përkrahë diversitetin në përbërjen e Gjykatës së Lartë.

“Në Gjykatë nuk ka shumë gra. Ne nuk kemi një hispanik dhe afrikano-amerikanët po ashtu nuk janë shumë të përfaqësuar.”

Gjatë paraqitjes në programin televiziv “Meet the Press” të NBC-s, zoti Spekter tha se do të dëshironte që presidenti të zgjidhte dikë jashtë sistemit të gjykatës federale, e cila tradicionalisht ka shërbyer si platformë kualifikimi për anëtarët e Gjykatës së Lartë.

“Do të shpresoja që ai të emëronte dikë jashtë Gjykatave të Apelit, prej të cilave zakonisht zgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë. Pra dikë që ka një përvojë më të gjerë ndërkombëtare.”

Si kandidate e mundshme është përmendur emri i Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Xhanet Napolitano. Ajo asnjëherë nuk ka qenë gjykatëse, por ka shërbyer si guvernatore dhe prokurore e përgjithshme e shtetit Arizona. Gjatë një paraqitjeje dje në televizionin FOX News, zonja Napolitano u pyet nëse është e interesuar për t’u bërë anëtare e Gjykatës së Lartë.

Sekretarja Napolitano iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejtë, duke thënë se ajo tani ka shumë gjëra për të bërë në përpjekjet e qeverisë federale për të frenuar gripin H1N1.

“Unë mendoj se presidenti ka shumë kandidatë të shkëlqyer dhe se i takon atij të bëjë këtë zgjedhje,” tha zonja Napolitano.

Zëvendësimi i gjykatësit Suter vështirë se mund ta ndryshojë në mënyrë radikale përbërjen ideologjike të Gjykatës së Lartë. Zoti Suter konsiderohej si i moderuar dhe shpesh ishte për ligje më liberale.

Senatori republikan Orrin Hatch, i cili ashtu si senatori Spekter ka qenë kryetar i Komisionit Juridik të Senatit, tha dje në programin “This Week” të televizionit ABC, se pret që presidenti të emërojë një kandidat me qendrime liberale në çështjet madhore.

“Shpresoj se ai do të emërojë një njeri të dimensioneve të mëdha. Ne të gjithë e dimë se ai do të emërojë një gjykatës më liberal.”

Kryetari i tanishëm i Komisionit Juridik të Senatit, demokrati Patrik Lejhi, thotë se ai do të bëjë gjithçka për të siguruar konfimimin nga Senati të anëtarit të ri para se Gjykata e Lartë të fillojë sesionin e ri më 5 tetor.

“Patjetër që deri atëhere konfirmimi do të jetë bërë. Do të ishte e papërgjegjëshme nëse nuk e kemi gjyqtarin e ri para se Gjykata të rifillojë nga puna në muajin tetor.”

Zoti Lejhi bëri komente edhe në programin televiziv “This Week” të rrjetit ABC. //ii

XS
SM
MD
LG