Lidhje

OBSH: Më shumë se 1000 të prekur nga virusi H1N1


Organizata Botërore të Shëndetësisë thotë se më shumë se 1000 raste të virusit H1N1 janë konfirmuar në 20 vende të botës.

Drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Margaret Çen e bëri këtë njoftim sot gjatë raportimit që bëri nga Gjeneva për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Zonja Çen i bëri këto komente ndërsa Meksika njoftoi se do të rihapte restorantet dhe bizneset e tjera ditën e mërkurë duke thënë se kishte rënë rreziku i virusit.

Meksika, epiqendra e sëmundjes, mbylli përkohësisht shkollat, restorantet si dhe bizneset e tjera në përpjekje për të ndalur virusin i cili gjithashtu është konfirmuar në Amerikën e Jugut dhe atë të Veriut si dhe në Europë dhe Azi.

Duke folur me gazetën Financial Times, zonja Çen tha se se sëmundja mund të kthehet edhe më e fortë. Ajo shtoi se pakësimi i numrit të vdekjeve brenda dhe në periferi të Meksikës nuk do të thotë se sëmundjes po i afrohet fundi. Zonja Çen tha në intervistë se ajo nuk parashikon një pandemi, por organizata që ajo drejton po përgatitet për mundësinë e saj.

Po sot, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun tha se organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka në plan ta rrisë edhe më shumë shkallën e rrezikut. //ek

XS
SM
MD
LG