Lidhje

Vazhdojnë hetimet për vrasjen e deputetit Xhindi


Në Shqipëri vazhdon të mbetet ende mister mbi vrasjen e deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi mbrëmjen e së shtunës. Grupi hetimor i drejtuar nga proklurorët e krimeve të rënda nuk ka dhën asnjë hollësi as mbi autorin e mundshëm dhe as mbi motivet, ndërkohë që në shtyp janë hedhur hipoteza të ndryshme

Kur nuk janë mbushur ende 48 orë nga vrasja e deputeti Xhindi gjithshka duket se është e veshur në mister. Të paktën zyrtarisht askush nuk ka dhënë deri më tani ndonjë informacion më shumë sec u njoftua natën e së shtunës. 250 mijë euro u ofruan për këdo që jep të dhëna që do të ndriconin ngjarjen, ndërsa duket se edhe personat e shumtë të cilët u morën në pyetje nuk kanë dhënë elementë të mjaftueshëm apo të asaj peshe që do të ndihmonin që hetimi të merrte një pistë të qartë. Në shtyp janë hedhur disa hipoteza që nga ato mbi mosmarrëveshje të vjetra për çështje pronësie apo përplasje personale që deputeti mund të ketë patur. Megjithatë asnjë nuk ka gjetur një konfirmim zyrtar.

Çështja po hetohet nga prokurorët e krimeve të rënda të cilët shkuan në vendngjarje menjëherë pas vrasjes që ditën e shtunë. Të gjithë duken të rezervuar në ngritjen e dyshimeve, që në një rast si ky, kur vrasësi është zhdukur pa lënë gjurmë, mund të jenë të cfarëdollojshme. Prokuroria shqiptare gjendet kështu përpara një tjetër rasti ku prej saj pritet shumë.

Klasa politike nuk kurseu përkufizimet e ashpra për të dënuar ngjarjen ndërsa autoritetet kanë premtuar angazhimin me të gjitha mjetet për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. "Një hetim shumë i kujdesshëm dhe vënia përpara drejtësisë e autorit të krimit" u kërkua dje edhe nga komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn.

Deputeti Xhindi sa kishte hyrë në oborrin e shtëpisë dhe zbriti nga makina kur u qëllua nga një breshëri automatiku. Përpjekjet e familjarëve të tij për ta dërguar me urgjencë në spital nuk mundën ta mbanin në jetë 49 vjecarin i cili kishte marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Një numër i madh personash, politikanë të të gjithë krahëve dhe banorë të zonës morrën pjesë dje në përcjelljen e deputetit socialist në banesën e fundit.

XS
SM
MD
LG