Lidhje

Shmangia e përhapjes së virusit A-H1N1. Akupuntura për fëmijë


Shmangia e përhapjes së virusit A-H1N1


Me shpërthimin e tanishëm të gripit, zyrtarë të shëndetësisë po u bëjnë thirrje personave që janë sëmurë të qëndrojnë në shtëpi për të shmangur infektimin e të tjerëve. Por një studim i botuar në numrin e fundit të revistës së sëmundjeve epidemike tregon se nga qëndrimi në shtëpi përfiton shumë edhe vetë i sëmuri. Mjekët në Danimarkë vëzhguan mijëra punëtorë dhe arritën në përfundimin se kur personat shkonin në punë gjatë periudhës që nuk ndjeheshin mirë, ata përballeshin me sëmundje të rënda në të ardhmen.

Ndërsa rastet e prekjes nga virusi i gripit A-H1N1 në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shtohen, zyrtarë qeveritarë të shëndetësisë po u kujtojnë njerëzve të sëmurë që të qëndrojnë në shtëpi për të ngadalësuar përhaqjen e këtij virusi të ri. Studimi i ri tregon se duke qëndruar në shtëpi këta të sëmurë mund të shmangin prekjen nga sëmundje edhe më të rënda në të ardhmen.

Shkencëtarët vëzhguan rreth 12 mijë punëtorë, duke i pyetur se sa here kishin shkuar në punë gjatë vitit të kaluar kur kishin qenë të sëmurë edhe pse mund të qëndronin në shtëpi. Afro 1 mijë prej tyre pohuan se ata kishin vendosur të shkonin në punë, më shumë se 6 herë megjithëse kishin qënë të sëmurë. Krahasuar me personat që kishin qëndruar në shtëpi kur kishin qenë të sëmurë, ata që kishin shkuar vazhdimisht në punë të sëmurë kishin 74 përqind më të ngjarë që të sëmureshin në të ardhmen aq rëndë sa të qëndronin në shtëpi të paktën 2 muaj.

Shkencëtarët mendojnë se duke marrë pushime 1 a 2 ditëshe kur ndjehen të sëmurë, njerëzit kanë rast për të pushuar e shëruar, dhe pakësojnë kështu mundësitë e prekjes nga sëmundje kronike në të ardhmen.


Sa e dobishme është akupuntura për fëmijët?


Çdo vit, mbi 3 milionë amerikanë të rritur shkojnë tek specialisti për akupunturë, trajtim i lashtë kinez për probleme të ndryshme shëndetësore. Por a është e dobishme akupuntura për fëmijët e vegjël? Ashli, 14 muajshe duket e shëndetëshme e qeshur e plot gjallësi, si çdo moshatare e saj. Por deri para pak kohësh ajo ndeshej me infeksione të shpeshta në vesh, grykë, sy apo prekej nga astma e alergji të ndryshme. Nëna e saj thotë se që kur ishte dy javëshe, Ashli ka marrë ilaçe nga më të ndryshmet. Kjo është arsyeja që për Ashlin, e ëma e saj filloi të kërkojë mënyra të tjera alternative për trajtim mjekësor. Një ditë ajo e solli vajzën e saj në klinikën e Akupuntunturës në Stoughton të shtetit Masaçusets, ku tani Ashly trajtohet rregullisht me akupunturë. Ndryshimet që vihen re pas fillimit të trajtimit me këtë metodë të lashtë tek Ashly janë se ajo tani fle e qetë, ndryshe nga më parë kur zgjohej ne mes të natës duke qarë.

Akupuntura është më shumë një art mjekësor se sa shkencë. Ajo bazohet në idenë se energjia është si rrymë që qarkullon në mbarë trupin duke kaluar nëpër disa pika ose kryqëzime. Kur këto kryqëzime bllokohen, vendi shpohet me gjilpërë për të hapur “trafikun” e energjisë. Mjekët në spitalin e përgjithshëm në Boston kohët e fundit përdorën një teknikë të re me imazhe eletro-magnetike për të parë e studiuar se si reagon truri gjatë akupunturës. Gjatë aplikimit të kësaj teknike mjekët vunë re se truri vepron si një çelës qarku që hapet e mbyllet kur një pjesë e trupit ndjen dhimbje. Megjithatë, mjekët ende ngurrojnë të shprehen se kanë prova të mjaftueshme shkencore për të thënë se akupuntura është e suksesshme. Ata mendojnë se në këtë fushë duhen kryer shumë studime të mëtejshme.

Në spitalin e përgjithshëm në Mineapolis ndodhet qëndra më e e herëshme e akupunturës për fëmijët e vegjël. Në këtë klinikë pediatrike trajtohen fëmijë me simptoma nga më të ndryshmet përfshi migrenë, ankth dhe depresion. Por akupuntura ashtu si ilaçet nuk ka të njëjtin efekt tek çdo person. Për shembull një 15 vjeçar vuante nga mania e vetëvrasjes dhe prindërit pasi e kishin çuar tek shumë mjekë e psikologë, më në fund e sollën në këtë klinikë. Që në trajtimet e para me akupunturë, gjendja e tij u përmirësua dukshëm.

Ndërkohë që akupuntura mund të mos jetë e efektshme për cdo fëmijë, për shumë prindër kjo mjekësi e lashtë kineze është bërë shpresa e fundit për shërimin e fëmijëve të tyre.

XS
SM
MD
LG