Lidhje

Ristrukturimi i kompanisë "General Motors"



Kreu i kompanisë “General Motors” thotë se ky prodhues automjetesh me seli në Detroit do të eliminojë disa tipe makinash dhe do të mbyllë më shumë fabrika për t’i mbijetuar tregut. Kompania GM njoftoi kohët e fundit se kjo lëvizje do të jetë pjesë e planit të ristrukturimit të kërkuar nga Shtëpia e Bardhë.

Kompania “General Motors” e cila po përballet me krizën më të rëndë të shitjeve prej 27 vjetësh tha javen e kaluar se do të shkurtojë edhe 21 mijë vende të tjera pune dhe se do të eliminojë tipin Pontiak brenda vitit 2010.

GM po kështu ka në plan të shesë linjat e makinave Saab, Saturn dhe Hummer.

Shefi Ekzekutiv i kompanisë, Fritc Henderson thotë se GM do të përqendrojë burimet e veta në prodhimin e tipeve bazë të automjeteve:

"Objektivi ynë nuk është mbijetesa. Duhet të hartojmë një plan që do të na sillte fitim”.

Por heqja e disa tipeve të makinave nga tregu do të sjellë mbylljen e disa fabrikave. Kompania njoftoi kohët e fundit se do të mbyllte përkohësisht 12 fabrika montimi duke iu përgjigjur kështu uljes së shitjeve në treg. Analisti i industrisë së makinave Karl Brauer thotë se para kësaj kompanie nuk ka shumë zgjidhje:

"Është e qartë se kompania GM duhet të bënte diçka të tillë pasi ka shumë automjete që nuk po arrijnë të shiten”.

Plani i GM përfshin edhe një ofertë ndaj kreditorëve për të shkëmbyer aksionet e kompanisë me një shumë prej 27 miliardë dollarësh. Kompania po ashtu po i kërkon administratës së presidentit Ovama të pranojë më shumë se 50% të aksioneve të kompanisë në shkëmbim të shuarjes së një huaje prej 15 miliardë dollarësh që kompania mori nga fondi i huave emergjente.

Plani në fjalë do të ndihmojë në uljen e borxhit të kompanisë në mënyrë që të shmanget falimentimi i saj. Por, shefi Henderson thotë se kompania është e përgatitur të marrë masat e nevojshme për t’i mbijetuar tregut.

"Mbetemi të vendosur që të realizojmë së pari objektivat tona për një kompani të suksesshme. Ndaj, nëse nuk e zgjidhim këtë çështje jashtë Gjykatës, do ta bëjmë këtë gjë në Gjykatë dhe do të realizojmë planin e ristrukturimit përmes procesit të shpalljes së falimentimit, nëse kjo gjë do të jetë e nevojshme”.

Kompania GM duhet të dorëzojë planin e ristrukturimit brenda muajit qershor në mënyrë që të jetë në gjendje të vazhdojë të marrë ndihmë nga shteti.

//rd//


XS
SM
MD
LG