Lidhje

Obama: SHBA, Afganistani, Pakistani, të vendosur kundër al-Kaidës


Presidenti amerikan Barak Obama zhvilloi një numër takimesh me udhëheqësit e Pakistanit dhe të Afganistanit. Ai drejtoi një takim trepalësh të nivelit të lartë dje me presidentin e Pakistanit Asif Ali Zardari dhe presidentin e Afganistanin Hamid Karzai.

Me shtimin e trazirave në rajon, takimi i nivelit të lartë mori një rëndësi edhe më të madhe.

Forcat pakistaneze janë në veprim kundër talebanëve tashmë të mëkëmbur.

Në Afganistan, vlon debati i viktimave të reja civile.

Por në Uashington u reklamua bashkimi ndërsa presidenti Obama u takua me presidentin e Pakistanit Asif Ali Zardari dhe atë të Afganistanit Hamid Karzai.

"Jam i kënaqur që këta dy drejtues të zgjedhur të Afganistanit dhe Pakistanit, vlerësojnë plotësisht seriozitetin e kërcënimit me të cilin përballemi dhe kanë riafirmuar angazhimin e tyre për ta luftuar atë".

Presidenti Obama theksoi se rreziku është i lartë. Ai tha se po bëhen të gjitha përpjekjet për të mënjanuar viktimat civile – një referencë kjo pëç dhjetra afganëve që thuhet se u vranë nga një sulm amerikan mbi elementët talebanë.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton shprehu keqardhje."Çdo humbje jete, çdo humbje e jetëve të pafajshme është veçanërisht e dhimbshme".

Presidenti Karzai tha se e vlerësonte shqetësimin e saj. Ai foli rreth nevojës për bashkëpunim më të madh mes Uashingtonit dhe Kabulit dhe mes Kabulit dhe Islamabadit."Pakistani dhe Afganistani janë si dy binjakë. Ne ndajmë të njëjtat vuajtje".

Ata ndajnë po ashtu pasiguri politike. Të dyja qeveritë janë në pozita delikate dhe po kërcënohen nga kryengritësit. Të dyja vendet janë nën presionin e Uashingtonit për të mbajtur një qëndrim më të fortë kundër ekstremistëve.

Presidenti Zardari u mundua të hidhte poshtë dyshimet duke përmendur se gruaja e tij Benazir Bhutto u vra nga ekstremistët."Demokracia do të hakmerret për vdekjen e gruas sime dhe të mijëra pakistanezëve dhe qytetarëve në botë. Demokracia në Pakistan do t'ia dalë mbanë. Terroristët do të mposhten nga lufta jonë e përbashkët".

Udhëheqësi afgan dhe ai pakistanez sollën delegacione të mëdha në Uashington për dy ditë takimesh të përbashkëta dhe individuale. Procesi në rajon filloi në shkurt. Por kjo ishte hera e parë që presidenti Obama u përfshi drejtëpërdrejt në diskutime.//rd//

XS
SM
MD
LG