Lidhje

OKB: Izraeli përgjegjës për pasojat e sulmit në Gazë


Një raport i Bordit të Hetimeve të OKB-së ka deklaruar se Izraeli është përgjegjës për 6 sulme serioze që kanë shkaktuar vdekje dhe plagosje si dhe kanë dëmtuar pronat e OKB-së gjatë inkursionit trejavësh në fund të muajit dhjetor. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, tha dje se do të kërkonte kompensim nga Izraeli. Detajet i sjell nga selia e OKB-së në Nju Jork, korrespondentja Margaret Beshir.

Në një përmbledhje të raportit prej 184 faqesh, Bordi i Pavarur i Hetimeve arriti në përfundimin se në operacionet ushtarake izraelite, municionet ose ushtarët izraelite ishin përgjegjës për 6 nga 9 rastet e hetuara për vdekjet, plagosjet dhe dëmtimet e pronave të OKB-së.

Incidentet në fjalë përfshinë edhe sulme në tre shkolla të drejtuara nga OKB-ja të cilat po strehonin palestinezë që ishin larguar nga konflikti, një qendër shëndetësore të OKB-së dhe një zyrë. Gjatë një incidenti tjetër, më pak serioz, Bordi mbërriti në përfundimin se trupat izraelite kishin goditur me armë zjarri një automjet të OKB-së gjatë të cilit nuk kishte pasur të plagosur.

Gjatë një konference shtypi, që u zhvillua dje, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nuk kritikoi Izraelin mbi rezultatet e hetimit, por tha se do të kërkonte vetëm dëmshpërblim.

"Kam ndërmend të kërkoj dëmshpërblim për viktimat e OKB-së dhe dëmtimet”.


Zoti Ban tha se nuk e shihte të arsyeshme t’i hapte rrugën hetimeve të mëtejshme. Ai tha se incidentet e tjera do të shqyrtoheshin sipas rastit dhe përmes bisedimeve me qeverinë e Izraelit.

"Qeveria e Izraelit më ka informuar se ka rezerva dhe kundërshtime mbi elementet e raportit. Në të njëjtën kohë, jam i kënaqur që qeveria e Izraelit ka rënë dakord të takohet me zyrtarë të OKB-së për të folur mbi rekomandimet e Bordit në lidhje me Izraelin”.

Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Izraelit tha se i hidhte poshtë kritikat e raportit dhe e quajti haptazi të njëanshëm, dhe nuk ka marrë parasysh faktet që iu prezantuan Komitetit. Po kështu Komiteti akuzonte Bordin Hetues se kishte publikuar informacione të gabuara bazuar në akuzat e organizatës Hamas.

Bordi i Hetimeve po kështu arriti në përfundimin se, në një rast, militantë palestinezë, kryesisht të lidhur me organizatën Hamas, ishin përgjegjës për dëmet e shkaktuara ndaj një magazine të OKB-së e cila ishte sulmuar me raketa.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, hodhi poshtë njoftimet e mediave sipas të cilave, ai nuk i kishte dhënë rëndësi rezultateve të hetimeve, duke thënë se Bordi i Hetimeve është i pavarur dhe theksoi se nuk gëzonte autoritetin për të ndryshuar rekomandimet ose përfundimet e hetimeve.

Bordi prej 5 anëtarësh u emërua nga Sekretari i Përgjithshëm, por i zhvilloi punimet në mënyrë të pavarur. Bordi nuk është një organ gjygjësor dhe nuk mund të hartojë përfundime ligjore apo çështje që kanë pasoja ligjore. Më shumë se 1300 palestinezë dhe 13 izraelitë humbën jetën gjatë ofensivës trejavore në Rripin e Gazës. //ek

XS
SM
MD
LG