Lidhje

Uashingtoni i kërkon Tel Avivit të mbështesë zgjidhjen me dy shtete


Presidenti amerikan Barak Obama u takua dje me presidentin izraelit Shimon Peres, ndërsa nënpresidenti amerikan Xho Bajden i kërkoi Izraelit që të mbështesë një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Pasi u takua me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, zoti Peres tha se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu do të respektojë planin e paqes për Lindjen e Mesme. Ky plan parashikon dy shtete, atë izraelit dhe atë palestinez krah për krah.

“Zoti Netanjahu tha se do t’i respektojë angazhimet e qeverisë së mëparshme. Qeveria e mëparshme e kishte pranuar planin e paqes”.

Zoti Netanjahu nuk e ka mbështetur zyrtarisht propozimin për të krijuar një shtet palestinez.

Zgjidhja me dy shtete ka qenë në qendër të përpjekjeve amerikane për të ndërmjetësuar paqen mes Izraelit dhe palestinezëve për afro një dekadë.

Po dje, nënpresidenti amerikan Xho Bajden foli në konferencën e përvitshme të Komitetit Amerikano-Izraelit për Çështje Publike, AIPAC. Ai tha se një zgjidhje me dy shtete do të ishte një pjesë e nevojshme e çdo paqeje të negociuar në rajon.

“Presidenti është i angazhuar fuqimisht dhe personalisht për të realizuar atë që të gjithë mendojnë se është e nevojshme: Një zgjidhje me dy shtete, me një Izrael të sigurt që të jetojë në paqe dhe siguri me një shtet palestinez të pavarur dhe funksional”.

Zoti Bajden tha se zgjdhja me dy shtete është gjithashtu e nevojshme për të garantuar mbijetesën e Izraelit si një shtet hebraik demokratik.

“Kjo është zgjidhja për të cilën Izraelin dhe palestinezët u angazhuan mbi planin e paqes dhe e rikonfirmuan në Anapolis. Kjo është e realizueshme”.

Zoti Bajden i kërkoi Izraelit që t’i lejojë palestinezëve lirinë e lëvizjes dhe të ndalojnë ndërtimin e vendbanimeve të reja hebraike. Ai tha se siguria e Izraelit nuk është e negociueshme dhe u bëri thirrje shteteve arabe që të ndërmarrin hapa të dukshme drejt Izraelit. //kk//

XS
SM
MD
LG