Lidhje

Gjendja në një kamp në veriun e Mitrovicës


Helkije Gushani jeton në kampin ‘Osterode’ në pjesën veriore të Mitrovicës bashkë me bashkëshortin dhe me vajzën e saj. Pos kushteve shumë të vështira ekonomike, ajo ka një shqetësim edhe më të madh, shëndetin e familjes së saj.

Shqetësimin e zonjës Helkie e kanë të gjithë banorët e kampeve që ndodhen në zonën kur dikur shtrihej gjiganti industrial Trepça. Mbetjet industriale kanë bërë që prania e plumbit në këtë zonë të tejkalojë shkallën e lejueshme me standardet ndërkombëtare.

“ S’i të them, nuk mund të jetojmë më këtu. Është shumë e vështirë. Unë do të doja që sa më shpejtë të largohemi nga këtu, jo vetëm unë por të gjithë banorët e këtij kampi”, thotë zonja Helkije.

Edhe në festën e Shën Gjergjit, e cila njihet si festa e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, banorët e kampit Osterode kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkallën e lartë të rrezikut në mjedisin e ndotur nga plumbi.

“Gjysma këtu e kanë prerë kingjin vetëm për adet, sepse nuk kanë vullnet as ta festojnë festën meqë nuk janë në shtëpitë e veta. Ajo është problemi më I madh, dhe problemi tjetër është prania e madhe e plumbit në gjak. OBSH-ja ka filluar me shërimin e fëmijëve, por pak fëmijë janë shëruar …” thotë Fatmir Krasniqi, Banor i Kampit ‘Osterode’ në veri të Mitrovicës.

Përfaqësuesi i banorëve rom, shkali dhe egjiptas në veri, Habib Hajdini, u bënë thirrje institucioneve vendase e ndërkombëtare që sa më parë të gjejnë një zgjidhje për qytetarët e këtyre komuniteteve që jetojnë në kampe.

“Në bazë të analizave të fundit, vërehet se niveli i plumbit në kampin Osterode është shumë i lartë. Jo vetëm unë, por të gjithë prindërit e fëmijëve jemi shumë të brengosur nga helmimi i fëmijëve me plumb”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë në vazhdimësi u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës për shtimin e kujdesit ndaj qytetarëve të komunitetit rome, ashkalinj dhe egjiptas që jetojnë në kampet në Mitrovicë. Drejtori i Zyrës në Prishtinë të Organizatës Botërore e Shëndetësisë, Skender Syla, thotë se nstitucioneve iu është rekomanduar zhvendosjen sa më e shpejtë e banorët te këtyre kampeve në një ambient më të sigurt.

“Gjithsesi largimi nga vendet që kanë një shkallë të lartë të kontaminimit me plumb ndihmon që të reduktohet niveli i plumbit në gjakun e individëve, mirëpo kjo merr një kohë të caktuar sepse ata i janë eksponuar ndotjes me plumb brenda disa viteve andaj merr një kohë të caktuar edhe për largimin e plumbit nga organizmi i tyre....’, thotë zoti Syla.

Afro 8,000 romë, ashkalinj dhe egjiptas qenë larguar nga pjesa jugore e Mitrovicës në vitin 1999 kur mëhalla e romëve ishte shkatërruar nga lufta. Të zhvendosurit qenë strehuar në kampe të “përkohshme” në veri të Kosovës, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte tërhequr vërejtjen se zona ku ishin të vendosura kampet ekspozohet në kontaminim të plumbit. (ze)

XS
SM
MD
LG