Lidhje

SHBA dhe mospërhapja e armëve bërthamore


Një raport i bërë publik dje në Uashington rekomandon më shumë veprime nga ana e udhëheqësve amerikanë në përpjekjet globale për mosperhapjen e armëve bërthamore. Megjithatë, Komisioni mbi Pozitën Strategjike të Shteteve të Bashkuara tha se kërcënimet e reja, përfshirë edhe terrorizmin përmes armëve bërthamore, kërkojnë kapacitete parandaluese të forta. Korrespondenti ynë Dan Robinson na njeh me dëshminë e bashkëkryetarëve të Komisionit për analizën njëvjeçare të politikave strategjike amerikane.

Komisioni, i cili u krijua nga Kongresi dy vjet më parë për të rishikuar pozitën afatgjatë strategjike amerikane përgjithësisht mbështet objektivat mbi kontrollin e armëve të publikuara deri më tani nga presidenti Obama.

Raporti thotë se Shtetet e Bashkuara duhet ta shpallë publikisht synimin për të pakësuar shkallën e mbështetjes tek armët bërthamore dhe për të ndjekur një politikë graduale me Rusinë me qëllimin e uljes së numrit të armëve bërthamore përmes Marrëveshjes për Pakësimin e Armëve Strategjike që mban emrin START.

Por, Komisioni tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet patjetër të vazhdojnë të mbajnë një forcë të efektshme armësh bërthamore si element parandalues.

Uilliam Peri, ish Sekretar i Mbrotjes gjatë mandatit presidencial të zotit Klinton dhe Xhejms Shlesinxher, i cili mbajti të njëjtin post gjatë administratave të presidentëve Nikson dhe Ford, folën dje para Komisionit për Forcat e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve ku dhanë hollësi mbi rezultatet e analizës së tyre.

Ish sekretari Peri paralajmëroi mbi rreziqet me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe bota.

"Ekziston rreziku që sistemi aktual i mospërhapjes të dështojë. Ka rrezik që në botë të shfaqet një ortek i përhapjes bërthamore, veçanërisht nëse Irani arrin të ketë armën atomike. Dhe të dyja këto rreziqe do ta shtojnë fuqishëm rrezikun e terrorizmit përmes armëve bërthamore. Po kështu ka rrezik që fuqitë bërthamore të botës të rifillojnë garën mes tyre”.

Komisioni tha se mënyra më e mirë për të parandaluar një sulm terrorist me armë bërthamore do të ishte që terroristëve t'u mbyllen rrugët për të shtënë në dorë armë ose lëndë bërthamore. Raporti po kështu thotë se një përparësi kryesore kombëtare duhet të jetë mbyllja ose sigurimi i objekteve bërthamore të rrezikuara.

Zoti Peri tha se Komisioni prej 12 anëtarësh mbërriti habitshëm në një mendim të përbashkët mbi shumicën e çështjeve por kishte ide të ndryshme mbi çështjen e ratifikimit nga ana e senatit amerikan të Traktatit të Përgjithshëm të Provave Bërthamore.

Dhjetë vjet më parë, Senati amerikan votoi në baza partiake- 51 pro dhe 48 kundër- dhe nuk arriti shumicën e duhur prej 70 votash, ose dy të tretat në Senat, për ta ratifikuar traktatin. Kjo votë u prit me kritika nga Rusia, Kina dhe një numër aleatësh të Shteteve të Bashkuara.

Lidhur me çështjen e fuqisë parandaluese amerikane kundër sulmeve bërthamore, ish sekretari Xhejms Shlesinxher tha se Komisioni rekomandon të mos ketë pakësim të njëanshëm të armëve bërthamore nga ana e Shteteve të Bashkuara.

"Aleatët tanë dhe veçanërisht anëtarët e rinj të NATOs nuk i besojnë Rusisë dhe do ta shihnin me nervozizëm çdo ulje drastike të fuqisë sonë bërthamore në raport me Rusinë, veçanërisht duke marrë parasysh se kohët e fundit Rusia i ka dhënë më shumë rëndësi armëve bërthamore taktike”.


Komisioni tha se Shtetet e Bashkuara duhet ta ruajnë sistemin e mbrojtjes nga raketat për të përballuar kërcënimet e mundshme rajonale dhe ato me rreze të largët që paraqesin vende si Koreja e Veriut dhe Irani. Por, siç thuhet në raport, këto masa nuk duhet t’i japin Rusisë dhe Kinës arsye që të shtojnë arsenalin e tyre strategjik çka do të kërcënonte Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. //ek

XS
SM
MD
LG