Lidhje

Kolumbia i kërkon ish kryeministrit Çeku të largohet nga vendi


Autoritetet e Kolumbisë i kërkuan ish kryeministrit Agim Çeku të largohej nga ky vend i Amerikës Latine. Zoti Çeku ndodhej në Kolumbi për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Vendimi për ndalimin e hyrjes në Kolumbi për dhjetë vjet, erdhi pas kërkesës së Serbisë drejtuar autoriteteve në Bogota që të arrestonin zotin Çeku në bazë të një fletarresti të lëshuar vite më parë nga autoritetet e Beogradit, për si thuhej "krime gjatë luftës në Kosovë".

Autoritetet e Kolumbisë, nuk e përfillën kërkesën e Serbisë për arrestimin e zotit Çeku por e njoftuan atë se duhet të largohej nga vendi.

Ish kryeministri Çeku, aktualisht udhëheqës i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, po merrte pjesë në “Kongresin Botëror për Çmilitarizimin e Ushtrive Çlirimtare”, për të folur mbi përvojën e tij në procese të tilla, meqë ai ka drejtuar ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pas luftës edhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Ai shprehu habi me veprimin e autoriteteve të Kolumbisë e cila është një nga 58 vendet e botës që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG