Lidhje

Bardosh: Vizita e Zv/presidentit Bajden në Ballkan, pozitive



Vizita e ardhshme e zv/presidentit amerikan Xho Bajden në Ballkan është pozitive dhe tregon vëmendjen që po i kushton Uashingtoni këtij rajoni. Kështu shprehet Gordon Bardos, ndihmës drejtor në Institutin Hariman të Universitetit Kolumbia në Nju Jork. Zoti Bardos, i cili është ekspert për Europën Juglindore thotë se është e rëndësishme që administrata e re amerikane ta kuptojë se sfidat e Ballkanit tani janë shumë më të ndryshme seç ishin në vitet ’90.


Zëri i Amerikës: Zoti Bardosh, zëvendës presidenti amerikan Xho Bajden do të vizitojë Ballkanin këtë muaj. Çfarë mund të pritet nga vizita e tij, një ripohim i politikave të mëparshme apo një fokus të ri për këtë rajon?

Gordon Bardosh: Mendoj se është diçka pozitive që zv/presidenti Bajden do të vizitojë Europën Juglindore që në fillimet e punës së administratës së re. Është shenjë e mirë që megjithë luftrat në Afganistan dhe Irak dhe krizën ekonomike globale, politikanët në Uashington po i kushtojnë vëmendje këtij rajoni. Megjithatë, do të jetë interesante të shihet se sa e informuar është administrata e re me zhvillimet në Europën Juglindore. Dhe me këtë dua të them se njerëz si Riçard Holbruk i cili është kthyer në Departamentin e Shtetit, sekretarja e shtetit Hillari Klinton dhe Xho Bajden të gjithë kanë qenë shumë aktivë në formulimin e politikës për Ballkanin në vitet ’90. Do të jetë interesante të shihet nëse e kuptojnë realitetin e ri dhe sfidat e reja me të cilat përballet ky rajon, apo nëse do të jenë si gjeneralët që luftojnë luftën e fundit duke u bazuar në të kaluarën. Problemi tani në Ballkan nuk janë më luftërat apo njerëz si Millosheviçi, Tuxhmani apo Izetbejgoviçi, por ndërtimi i institucioneve demokratike, i tregjeve të qëndrueshme ekonomike dhe integrimin euro-atlantik të vendit. Këto janë gjëra shumë të ndryshme nga problemet e 10 viteve më parë dhe shpresoj që ata ta kuptojnë këtë.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit në Uashington ka qarkulluar ideja e një përfaqësuesi të posaçëm amerikan për Ballkanin. Ç’mendoni ju për këtë dhe a do ta rriste kjo rëndësinë e rajonit në politikat e Departamentit të Shtetit?

Gordon Bardosh: Varet. Në përgjithësi mendoj se është gabim të ketë shumë diplomatë për një territor kaq të vogël, sepse kjo do krijonte gara burokratike mbi përgjegjësitë që do të kishte sejcili. Pastaj, ata mund të punonin me objektiva të ndryshme, amerikanët nga njëra anë dhe europianët nga ana tjetër. Rajonit i duhet kushtuar vëmendje të madhe. Madje unë jam një nga ata njerëz që përkrah idenë e rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë etj, për t’u treguar ekstremistëve se komuniteti ndërkombëtar dhe sidomos Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë kthimin tek dhuna. Por përveç kësaj, krijimi i një posti burokratik nuk më duket i nevojshëm për zgjidhjen e problemeve në Europën Juglindore.

Zëri i Amerikës: Për sa u përket marrëdhënieve SHBA-Rusi, a mund të pritet ndonjë ndryshim në politikën e Moskës ndaj Kosovës me adminitratën e re të presidentit Obama?

Gordon Bardosh: Shumë njerëz kanë filluar të mendojnë nëse Moska do ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Personalisht, nuk mendoj se kjo do të ndodhë, të paktën për sa kohë që zoti Putin dhe Medvedev janë në pushtet. Më vonë nuk di se ç’mund të ndodhë. Vladimir Putin ka investuar një pjesë të madhe të besueshmërisë së tij personale tek çështja e Kosovës dhe do të ishte e vështirë që ai të ndryshonte rrugë tani. Por ka përveç arsyeve politike edhe arsye kulturore, tradicionale dhe fetare. Prandaj nuk shoh ndonjë mundësi që Moska ta ndryshojë politikën e saj në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kushmendoni se duhet të udhëheqë politikën për Kosovën, përveç udhëheqësve lokalë, Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian?

Gordon Bardos: Mund të jetë shumë herët që komuniteti ndërkombëtar të tërhiqet nga Kosova dhe t’i lërë serbët dhe kosovarët t’i zgjidhin vetë punët e tyre. Në Kosovë komuniteti ndërkombëtar ende ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit atje.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh se Europa mund të mbetet lehtë peng e gazit rus, a nuk do të ishin Shtetet e Bashkuara më të pavarura në udhëheqjen e politikës për Kosovën?

Gordon Bardos: Në këtë pikë nuk e di nëse Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të diktojnë zhvillimet në Ballkan në mënyrë pozitive duke marrë parasysh krizën financiare, luftën në Afganistan dhe Irak dhe nismat e tjera që ka ndërmarrë administrata Obama. Nuk e di nëse Uashingtoni është në pozitë t’i tregojë Europës dhe Rusisë se çfarë duhet të ndodhë në Europën Juglindore. Por ajo që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara është të ndihmojnë vendet e Ballkanit në integrimin europian.//rd//


XS
SM
MD
LG