Lidhje

Album dhe ekspozitë e re me fotografitë e Bob Marlit


Fotografi amerikan David Bërnet ka prezantuar një koleksion me fotografi të papara ndonjëherë të legjendës së muzikës rege, Bob Marli, në albumin dhe ekspozitën e tij të re me titull “Rebel në Shpirt: Një Portret Intim i Bob Marlit”. Si albumi, ashtu edhe ekspozita përfshijnë momente nga jeta e Bob Marlit që fotografi David Bërnet i ka bërë në banesën e artistit në vitin 1976 dhe në turneun me grupin e tij në Evropë një vit më pas. Në vazhdim ju sjellim Bob Marlin përmes syrit të fotografit Bërnet:

Shumë njerëz e konsiderojnë Bob Marlin si artistin që ia prezantoi publikut amerikan dhe botëror muzikën xhamajkiane rege. Albumi i tij “Legend” mbetet edhe sot e kësaj dite më i shituri i muzikës rege.

Fotografi David Bërnet pohon se nuk e dinte kush ishte Bob Marli kur revista Time e dërgoi me shërbim në Xhamajkë në vitin 1976 për një foto-reportazh mbi muzikën rege:

“Nuk e kisha idenë kush ishte Bob Marli, apo çfarë ishte muzika rege kur shkova në Xhamajkë. Por kur mbarova shërbimin isha pak a shumë i bindur se ishte diçka e madhe.”

Doli ashtu siç mendonte David. Edhe sot e kësaj dite, Bob Marli vazhdon të admirohet në shumë vende. Jeta e tij u ndërpre kur vdiq nga kanceri në vitin 1981 në moshën 36 vjeçare.

Fotografi kaloi një pasdite të tërë me Marlin 33 vjet më parë, duke i bërë fotografi në shtëpinë e tij në Kingston.

“Kishim gjysmë ore që bisedonim dhe e kuptova se po flisja me një njeri shumë inteligjent. Më la të shtangur. Po thoja me vete: ky njeri di çfarë thotë, nuk është thjesht muzikant.”

Muzika e Bob Marlit merrte frymëzim nga tema si dashuria, liria e individit, padrejtësia sociale dhe patriotizmi. Idetë e tij i kishin rrënjët në lëvizjen sastafari, që konsiderohet si një besim fetar i frymëzuar nga lufta e popullatës xhamajkiane me ngjyrë për pushtet.

Fotografi Bërnet e shoqëroi Marlin dhe grupin e tij në turneun e tyre në Evropë në vitin 1977.

“Ishte diçka e veçantë të shihje në koncert sa ndikim kishte ky grup.”

“Diçka e brendshme sikur ndezej dhe Marli shndërrohej në një forcë të konsiderueshme në skenë.”

Kris Mëri është themeluesi dhe drejtori i Galerisë Govinda në Uashington, ku është hapur ekspozita me fotografitë e Bob Marlit. Ai ishte organizator i ekspozitës dhe shkroi edhe hyrjen e albumit të fotografit Bërnet me titull “Rebel në Shpirt: Një Portret Intim i Bob Marlit.”

“Fotografi David u fut një ditë në galeri me fotografitë e tij dhe kur i pashë u shtanga, pasi mendoj se janë disa nga fotografitë më të mira që i janë bërë Bob Marlit.”

Fotografi mendon se Bob Marli e shfrytëzonte muzikën e tij jo vetëm për të përcjellë mesazhin e dashurisë dhe çlirimit, por edhe për të komunikuar me njerëzit:

“Gjetëm një citim të mrekullueshëm të Marlit ku thotë “muzika ime nuk do të vdesë kurrë”. Ai nuk e thoshte këtë me mendjemadhësi, por mendoj se e kuptonte se muzika e tij kishte një fuqi të veçantë që njerëzit do e pëlqenin.”

Kanë kaluar 32 vjet që kur Bërnet i bëri këto fotografi të Bob Marlit, i cili mbetet idhull për të rinj e të moshuar edhe sot e kësaj dite.

“Publiku e ka pritur shumë mirë këtë mundësi për të parë fotografitë e një artisti që ka frymëzuar kaq shumë njerëz me muzikën, vargjet dhe individualitetin e tij.”

“Nëse muzika e tij është vërtetë e destinuar të jetojë në përjetësi, ndoshta këto fotografi do ta ndihmojnë fare pak një gjë të tillë.”

Një muzikant që siç thotë fotografi Bërnet, jo vetëm ka frymëzuar bashkëkohësit e tij, por u përket tani brezave. //bsa//

XS
SM
MD
LG