Lidhje

Shqipëri: Zyrtarët konfirmojnë arrestin e diplomatit për drogë


Në Tiranë, ministria e Jashtme konfirmoi mbrëmë lajmin e publikuar tashmë nga mediat se në Turqi ishte arrestuar për trafik droge diplomati shqiptar Agim Haxhiu, sekretar i dytë i ambasadës së Shqipërisë në Shkup. Ministria kishte njoftuar më parë se për shkak të mos paraqitjes në detyrë nga datat 1 deri 6 maj kishte vendosur lirimin e diplomatit nga detyra dhe heqjen e imunitetit të tij diplomatik.

Dje pasdite mediat në Tiranë njoftuan për përfshirjen e sekretarit të dytë të ambasadës shqiptare në Shkup, Agim Haxhiu, në një trafik droge dhe arrestimin e tij nga autoritetet turke, fundjavën e shkuar, pasi në makinën me të cilën udhëtonte i ishin gjetur 65 kilogram heroinë, me një vlerë prej disa qindra mijëra eurosh.

Autoritetet e ministrisë së Jashtme fillimisht thanë se nuk kishin asnjë njoftim zyrtar dhe se Haxhiu kishte braktisur detyrën që nga data 1 maj deri dy ditë më parë dhe se për këtë arsye ishte liruar nga detyra dhe ishte zhveshur nga imuniteti diplomatik. Në të vërtetë kjo ishte një mënyrë e tërthortë për të dëshmuar distancimin nga funksionari i ambasadës.

Njoftimi i parë i ministrisë i orës 15 e 37 minuta nuk e përmendte fare përfshirjen e tij në trafik droge, për të treguar se ai ishte ndëshkuar përpara se të bëhej i ditur arrestimi. Por shpjegimet që vetë ministria dha në mbrëmje ngrenë pikëpyetje mbi motivin e masës ndëshkimore, pasi në të thuhet se interesimi pranë autoriteteve turke ishte nxitur nga shqetësimi i familjarëve të cilët kishin humbur kontaktet me Haxhiun.

Në njoftim sqarohet se “objekti i interesimit ishte sigurimi i çdo lloj informacioni të nevojshëm lidhur me hyrjen eventuale në territorin e Turqisë të shtetasit në fjalë, vendndodhjen e tij, si dhe me ndonjë aksident të mundshëm”.

Autoritetet shqiptare vetëm dje kanë marrë njoftim me shkrim se Haxhiu ka hyrë në territorin turk më datë 1 maj, por asgjë mbi vendndodhjen e tij. Dhe në një situatë të tillë, kur, spas ministrisë nuk dihej asgjë e saktë rreth tij e madje dyshohej se diplomati mund të kishte pësuar edhe ndonjë aksident, ndaj Haxhiut merret masa e lirimit nga detyra dhe e zhveshjes nga imuniteti diplomatik për braktisje të pajustifikuar të detyrës, pa ditur se ku kishte përfunduar ky diplomat.

Sipas ministrisë së jashtme, fakti se ai ishte arrestuar i është bërë i ditur përfaqësisë diplomatike shqiptare në Turqi vetëm dje pasdite vonë, në orën 17.43 minuta.

Po ashtu në njoftimin e ministrisë së jashtme shqiptare nuk saktësohet nëse makina në të cilën atij iu gjet droga ishte personale apo me targa të përfaqësisë shqiptare në Shkup. Sipas mediave shqiptare, mjeti me të cilin udhëtonte ishte me targa diplomatike. Pavarësisht kësaj, në momentin e arrestimit ai ishte ende një përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar.

Haxhiu është ndaluar në segmentin rrugor Stamboll-Edirne nga autoritetet turke më 2 maj 2009 për tregtim të lëndëve narkotike dhe aktualisht ndodhet në Burgun Maltepe në Stamboll.

Haxhiu u përfshi në shërbimin diplomatik shqiptar pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 2005. Deri në ato momente ai punonte si gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Ky është rasti i dytë i përfshirjes së punonjësve të ambasadave shqiptare në trafik droge. Pak muaj më parë në Itali autoritetet italiane ndaluan shoferin e ambasadës shqiptare në Romë me një kilogram heroinë.

Bordi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Kontrollin e Narkotikëve thotë se Turqia dhe Ballkani janë një rrugë kryesore trafikimi për drogën që hyn në Europë nga Afganistani dhe vende të tjera të Azisë perëndimore. //ii

XS
SM
MD
LG