Lidhje

Obama, Lavrov theksojnë aspektet pozitive të marrëdhënieve


Presidenti Obama dhe ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov theksuan aspektet pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve gjatë takimit që patën dje në Shtëpinë e Bardhë. Bisedimet zhvillohen në kuadrin përgatitjeve për takimin e nivelit të lartë që zoti Obama do të ketë në muajin korrik me Presidentin rus Dmitry Medvedev në Moskë.

Gjatë komenteve për gazetarët pas takimit në Zyrën Ovale, zoti Obama dhe ministri i Jashtëm rus iu shmangën çështjeve të debatueshme që i ndajnë dy vendet.

Presidenti tha se pret që marrëdhëniet amerikano-ruse të përmirësohen.

"Siç e kam thënë edhe më parë, mendoj se kemi një rast të shkëlqyer për të shënuar një fillim të ri të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për një numër të madh çështjesh."

Megjithë mosmarrëveshjet rreth Gjeorgjisë, sistemit antiraketë në Europë dhe zgjerimit të NATO-s, deklaratat e dy zyrtarëve për gazetarët u përqendruan te takimi i presidentëve në muajin korrik. Ky do të jetë samiti i parë zyrtar i zotit Obama me homologun e tij. Zoti Lavrov i transmetoi presidentit një mesazh mirëseardhjeje.

"Mund t’ju transmetoj edhe një herë se Presidenti Medvedev mezi pret t’ju takojë në Moskë në korrik."

Presidentët Obama dhe Medvedev shpresojnë të shqyrtojnë një kornizë për një marrëveshje të re mbi armët strategjike gjatë samitit të tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të fillojnë më 18 maj bisedimet rreth një marrëveshjeje që do të zëvendësonte Traktatin START 1 për armët strategjike, të cilit i skadon afati në fund të këtij viti.

Zoti Lavrov u takua dje edhe me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Klinton.

Vizita e zotit Lavrov, e para për të në Shtetet e Bashkuara pas ardhjes së administratës Obama në Shtëpinë e Bardhë, zhvillohet në një atmosferë tensionesh të reja pas manovrave të NATOS në Gjeorgji. //ii

XS
SM
MD
LG