Lidhje

Koreja e Veriut, raketa e saj dhe armët bërthamore

  • Andre Nesnera

Më 5 prill të këtij viti, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi që u konsiderua nga shumë vende perëndimore si një akt provokimi. Korrespondenti ynë Andre de Nesnera i hedh një vështrim çështjes së raketës koreanoveriore dhe programit të Penianit për armët bërthamore.

Raketa koreanoveriore quhet Taepodong-2. Analistët thonë se teorkisht ajo ka një rreze veprimi nga 3,600 deri në 4,300 kilometra, pra e aftë të arrijë pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara.

Paul Carroll është ekspert për armët bërthamore dhe për Korenë e Veriut në Fondacionin Ploughshares të San Fransiskos, i cili mbështet nisma për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore.

"Është një raketë me tre faza, pra ajo që duhet për të hedhur diçka në orbitë, ose për të lëshuar me sukses nga njëri kontinent në tjetrin një mbushje bërthamore. Me sa kuptoj nga vëzhguesit teknikë dhe ekspertët, faza e parë e raketës pati sukses. Faza e parë u aktivizua dhe ra atje ku kishin planifikuar koreanoveriorët. Por faza e dytë nuk arriti ta përfundojë djegien e plotë dhe si pasojë ra shumë larg vendit ku ishte parashikuar të binte. Kjo bëri që faza e tretë të mos arrinte asgjëkund. Pra thjesht u rrëzua në Oqeanin Paqësor."

Zyrtarët perëndimorë thanë se prova e Koresë së Veriut ishte një dështim. Megjithatë Koreja e Veriut e quajti atë sukses, duke thënë se raketa lëshoi në orbitë një satelit telekomunikacioni.

Por, përse Peniani e bëri provën me raketë pikërisht në këtë kohë?

Ja ç’thotë David Kay, ish kryeinspektor për armët në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

"Është mënyra e sjelljes së tyre sa herë që ndjejhen të mospërfillur, pra kur të tjerët nuk u kushtojnë vemendje, kur nuk marrin atë që duan, duke krijuar një krizë me shpresën se Shtetet e Bashkuara dhe diçka më pak Kina do të përgjigjen duke e riangazhuar Penianin ose duke lëvizuar drejt atyre objektivave që ai dëshiron."

Jim Walsh, ekspert për Korenë e Veriut dhe për armët bërthamore në MIT, Instituti i Teknologjisë në Masaçusets, shikon një tjetër arsye.

"Ekziston mendimi se Koreja e Veriut po kalon ndoshta nëpër hapat e para të procesit për të përcaktuar se kush do t’i zerë vendin udhëheqësit të tanishëm. Nëse ju kujtohet, udhëheqësi i tyre Kim Xhong Il, pati hemoragji cerebrale. Ka zëra se ata po e riorganizojnë udhëheqjen dhe po fillojnë të mendojnë për një regjim pas Kim Jong Il-it. Ndoshta lëshimi i raketës ka lidhje me këtë."

Lëshimi u dënua nga komuniteti ndërkombëtar megjithëse Koreja e Veriut ka deklaruar se është e drejta e saj të bëjë prova të tilla.

Kombet e Bashkuara bënë një deklaratë ku dënonin lëshimin e raketës. OKB-ja vendosi sanksione shtesë ndaj tre kompanive të Koresë së Veriut.

Peniani reagoi duke u tëhrqur nga bisedimet gjashtëpalëshe të çarmatimit bërthamor dhe duke kërcënuar se do të bëjë një provë bërthamore. Ai dëboi gjithashtu inspektorët ndërkombëtarë bërthamorë dhe njoftoi se do të fillojë ripërpunimin e plutoniumit nga objekti i tij bërthamor i YongByon-it - një hap i parë ky për ndërtimin e armëve bërthamore.

Eksperti David Kay thotë se reaktori i vogël i YongByon-it, i cili ka një fuqi prej 5 megavat, është në fakt gjysmë i shkatërruar.

"Në bazë të kushteve të marrëveshjes gjashtëpalëshe, të arritur me Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët, koreanoveriorët në fakt shkatërruan kullën e ftohjes dhe çmontuan pjesë të tjera të reaktorit. Pra vënia e reaktorit përsëri në punë kërkon ndoshta një punë dyvjeçare. Nga ana tjetër, pajisjet e ripërpunimit, ku do të nxirrej plutoniumi me anë të ndarjes, janë në gjendje më të mirë dhe ndoshta të afta për t’u përdorur thuajse menjëherë, po të kemi parasysh faktin se standardet e sigurisë në Korenë e Veriut janë të ulta."

Ekspertët thonë se ka dy mënyra për të prodhuar material për armë bërthamore. Njëra mënyrë është me anë të pasurimit të uraniumit. Tjetra është duke ripërpunuar plutoniumin, dhe kjo është metoda e zgjedhur nga Koreja e Veriut.

Eksperti Jim Walsh thotë se është e vështirë të dish se sa armë bërthamore ka aktualisht Koreja e Veriut.

"Vlerësimet që nga fillimi i viteve 90, kur kriza u bë publike për herë të parë, tregojnë se Koreja e Veriut mund të kishte nga zero deri në 5 armë bërthamore. Gjatë një dekade e gjysmë që ka kaluar, ky numër është rritur gradualisht nga 5 në ndoshta 12, pra dika e tillë. Pra fjala është ende për një numër relativisht të vogël armësh bërthamore."

Shumë ekspertë thonë se mënyra më e mirë për të zgjidhur çështjen e armëve bërthamore të Penianit është të rigjallërohen bisedimet gjashtëpalëshe ku marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, Kina, Japonia, Rusia, Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut. Por, thonë ata, përpara se kjo të ndodhë, hapi i parë do të ishte të binden zyrtarët koreanoveriorë që të kthehen në tryezën e bisedimeve sepse ata kanë vendosur t’i bojkotojnë këto negociata pas kritikave nga e gjithë bota ndaj provës së tyre të raketës me rreze të gjatë veprimi.//ap.

XS
SM
MD
LG