Lidhje

Rezultatet e provave të stresit për bankat kryesore amerikane


Një analizë e hollësishme nga ana e qeverisë amerikane iu bë bankave kryesore për të parë nëse ato kishin fonde të mjaftueshme për të mbuluar humbjet e mundshme nëse gjendja e recesionit rëndohet. Analiza tregon se 10 prej bankave më të mëdha të vendit do të kenë nevojë për 75 miliardë dollarë shtesë për të përballuar një gjendje të tillë. Analiza për veprimtaritë e 19 bankave amerikane u publikua pas mbylljes së tregjeve financiare amerikane për të shmangur panik tek investitorët. Por sipas disa analistëve, studimi tregon se gjendja e bankave të vendit është më e mirë se sa pritej.

Studimi tre mujor rreth gjendjes së institucioneve më të mëdha financiare të vendit konfirmoi njoftimet e mëparshme të shtypit se disa banka amerikane kanë nevojë për më shumë kapital për të përballuar një krizë të mëtejshme ekonomike.

Mes këtyre institucioneve janë Bank of America, e cila ka nevojë të tërheqë 34 miliardë dollarë, Wells Fargo, ka nevojë për 13,7 miliardë dollarë dhe Citigroup për 5,5 miliardë dollarë.

Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner, tha se të ashtuquajturat prova të stresit do të ndihmojnë për sqarimin e gjendjes së sistemit financiar, ende në pasiguri.

“Këto prova stresi do të ndihmojnë në zhdukjen e pasigurisë në sistemin financiar, në zgjerimin e kapacitetit të bankave për të dhënë hua dhe për të zëvëndësuar investimet e qeverisë me kapital privat sa më parë që të jetë e mundur”.

Për provat e stresit u përdorën skenarë të ndryshëm për të matur ndikimin e një recesioni më të madh tek bankat e vendit, përfshirë edhe papunësinë më të lartë dhe rënien e çmimeve të shtëpive.

Analisti i indeksit Standard and Poor, Stuart Plesser, thotë se studimi tregon se sistemi financiar amerikan, ashtu si e gjithë ekonomia, ka filluar të përmirësohet.

“Mendoj se është shtuar besimi i investitorëve dhe ndoshta edhe i publikut në përgjithësi se bankat janë në gjendje të përballojnë presionin ekonomik, që po përjetojnë tashmë”.

Por disa analistë vënë në pikpyetje nëse provat e stresit ishin mjaft rigoroze. Jonathan Corpina, analist në kompaninë Meridian Equity Partners, thotë se shumë banka amerikane janë ende në gjendje të vështirë.

“Të gjithë po përpiqen të shikojnë një farë shprese dhe të shikojnë me optimizëm lajmet që vijnë nga Uashingtoni, por fakti është se disa banka të mëdha ende kanë nevojë për miliarda e miliarda dollarë që të zhvillojnë veprimtaritë e tyre të përditshme”.

Sekretari i Thesarit Geithner ishte më optimist dhe tha se provat e stresit tregojnë se jo të gjitha bankat janë të dobëta.

“Ky është fillimi dhe ne do të vazhdojmë përpjekjet për t’u siguruar se sistemi financiar është në pozitë më të fortë, në mënyrë që të sigurojë kredi-dhënien për të dalë nga kriza”.

Ndërsa disa analistë thonë se mund të jetë e vështirë për disa banka që të tërheqin kapitalin e nevojshëm, investitorët e Uoll Stritit ishin më optimistë.

Vlera e aksioneve financiare u ngrit pas mbylljes së tregjeve, kur u publikuan edhe rezultatet e studimit për provat e stresit. //bsa//

XS
SM
MD
LG