Lidhje

Fondi Monetar i ofron zyrtarisht Kosovës anëtarësimin


Fondi Monetar Ndërkombëtar i ofroi dje zyrtarisht Kosovës anëtarësimin. Bordi Ekzekutiv i Fondit certifikoi dje votën e guvernatorëve për pranimin e Kosovës gjë që do t’i jepte asaj drejtën për të marrë kredi prej miliona dollarësh të mbështetura nga ky institucion financiar.

Në një deklaratë, Bordi njoftoi se Kosova do të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar kur përfaqësuesit e saj të nënshkruajnë marrëveshjen në Uashington ku ndodhen zyrat qendrore të FMN-së.

Kuota fillestare e propozuar nga Bordi për Kosovën është rreth 88.6 milion dollarë. Secilit nga të 185 vendet anëtare që ka Fondi i caktohet një kuotë e cila bazohet kryesisht në peshën që çdo vend ze në ekonominë botërore.

Serbia dhe Rusia e kundërshtuan në mënyrë aktive kërkesën e Kosovës për anëtarësim në FMN dhe sipas gazetës The Wall Street Journal, pranimi i saj u shoqërua me debate.

Kosova e bëri kërkesën e anëtarësimit në FMN vitin e kaluar menjëherë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë. Po vitin e kaluar Fondi Monetar e njohu shkëputjen e Kosovës nga Serbia megjithëse shteti i ri nuk është anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. //ii

XS
SM
MD
LG