Lidhje

Kosovë: Reagime për anëtarësimin në FMN


Në Prishtinë, përfaqësuesit politikë dhe ekspertët e ekonomisë vlerësojnë së anëtarësimi në Fondin Monetar ndërkombëtarë do të ushtrojë ndikim jo vetëm në rimëkëmbjen ekonomike të vendit por edhe në proceset politike.

Kryeministri Thaçi vuri theksin sidomos në peshën politike të anëtarësimit të vendit në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

"Me anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar ndërkombëtar, Kosova ka fituar një atribut shumë të fuqishëm të subjektivitetit ndërkombëtar, ka fituar një njohje shumë të fuqishme ndërkombëtare të votimit nga 96 shtete për anëtarësimin në Fondin Monetar ndërkombëtar edhe nga vende të cilat nuk e kanë e njohur pavarësinë e Kosovës”. tha kryeministri Thaçi

Anëtarësimi pritet të ndikojë në rimëkëmbjen ekonomike të vendit i cili edhe me tej përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë. Shpend Ahmeti nga Instituti për studime të avancuara dhe Flamur Keqa nga Oda Ekonomike e Kosovës e çmojnë si ngjarje me rëndësi të shumanshme anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

”Avantazhet e anëtarësimit janë në dy rrafshe , në rrafshin politik sepse një prej tre kushteve kryesore që të jesh anëtar i fondit duhet të jesh shtet, prandaj është një njohje indirekte nga një institucion i njohur, ndërsa në aspektin ekonomik kemi disa avantazhe ato janë që marrim këshilla nga Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe pse ndonjëherë janë këshilla të vështira, po ashtu këto analiza të fondit monetar përdoren nga investitorët e jashtëm d.m.th merren si shumë të besueshme dhe do të kemi qasje në fonde të cilat ndoshta nuk do të jenë në sasi të mëdha për shkak se e kemi kuotën e vogël, megjithatë do të kemi qasje tash edhe në fondin special për krizën financiare globale që fondi e ka”, tha Shpend Ahmeti nga Instituti për studime të avancuara.

“Anëtarësimi në këtë institucion ndërkombëtar financiar do të ndihmoj dhe të lehtësoj që shtetet tjera botërore që deri tash nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do të jetë një nxitje për ta që ta njohin pavarësinë, ndërkaq në aspektin ekonomik ka përfitime shumë të mëdha, siç parashihet edhe me politikat e Fondit Monetar ndërkombëtar që ajo të jap asistencë financiare ose teknike.” tha Flamur Keqa nga Oda ekonomike e Kosovës.

Kosova tash duhet të përmbushë kriteret formale dhe parlamenti duhet të miratojë ligjin për anëtarësimin e vendit në Fondin Monetar. Marrëveshja duhet të nënshkruhet në muajin qershor di kur pritet që të përfundojë edhe procesi i anëtarësimit në bankën Botërore. Beogradi i mbështetur nga Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe ka bërë përpjekje të pengojë anëtarësimin e saj në të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Fondin Monetar dhe Bankën Botërore. Autoritetet në Prishtinë i bënë thirrje Beogradit që të heqë dorë nga synimet e tilla që bien ndesh me siç thuhet, përpjekjet për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.//mm//


XS
SM
MD
LG