Lidhje

Republikanët: Plani i Presidentit për Guantanamon, i rrezikshëm


Një ligjvënës republikan thotë se plani i presidentit Obama për të mbyllur burgun e Guantanamos në Kubë është i rrezikshëm dhe i jep përparësi simbolizmit ndaj sigurisë kombëtare.

Në fjalimin e përjavshëm të Partisë Republikane, senatori Kit Bond i quajti vrasës 241 personat të dyshuar për terrorizëm që mbahen në këtë burg dhe tha se zoti Obama nuk ka asnjë plan se ku do t’i dërgojë ata pas mbylljes së Guantanamos.

Senatori republikan po kështu kritikoi administratën e zotit Obama se po sygjeronte se të burgosurit mund të transferoheshin në Amerikë duke thënë se populli amerikan ka të drejtë të dijë se ku do të dërgohen këta persona.

Dy ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder siguroi ligjvënësit se terroristët nuk do të transferoheshin në Shtetet e Bashkuara dhe se siguria e amerikanëve do të mbetet e paprekur.

Sipas tij, administrata vazhdon të analizojë dosjet e terroristëve dhe nuk ka vendosur se ku do t’i dërgojë ata. //ek

XS
SM
MD
LG