Lidhje

Film dokumentar për gazetaren e vrarë Ana Politkovskaja


Kohët e fundit organizata Freedom House publikoi studimin e saj vjetor mbi lirinë e shtypit. Raporti i fundit tregon se ka tendenca veçanërisht shqetësuese në ish Bashkimin Sovjetik, Azi dhe Afrikën nën-Sahariane. Studimi përforcon mesazhin e një dokumentari të ri rreth shtypjes së medias ruse dhe vrasjen e qindra gazetarëve rus që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Filmi i titulluar “211: Ana”, përqëndrohet tek gazetarja ruse dhe aktivistja e të drejtave të njeriut Ana Politkovskaja, e cila u vra në vitin 2006. Ajo kishte raportuar gjerësisht mbi lidhjet ruse me krimet e luftës në Çeçeni dhe kishte kritikuar hapur presidentin e atëhershëm rus, Vladimir Putin.


Në mesin e rënojave, ish pengu i masakrës në shkollën e Beslanit në Çeçeni tregon çfarë ka mbetur aty. Pesë vjet më parë, gjatë një rrethimi tre ditor, çeçenë të armatosur mbajtën peng më shumë se një mijë njerëz, shumica fëmijë. Terroristët kërkonin përfundimin e luftës në Çeçeni. Qeveria ruse refuzoi të negocionte. Qindra vetë vdiqën gjatë sulmit të ushtrisë ruse.

Sulmi shfaqet në plan të parë në dokumentarin e Paolo Serbandinit – 211 Ana. Serbandini e paraqet atë si një shembull tragjik të një qeverie ruse e paepur për të vazhduar luftën.

Dmitry Muratov është kryeredaktor i gazetës ruse, Novaya Gazeta.

"Regjimi absolutisht nuk donte të bënte negociata. Është normë në vendin tonë. Mendoj se ka një doktrinë të përgjithshme që nuk i jep përparësi lirimit të pengjeve, por eleminimit të terroristëve”.

Filmi tregon sesi tragjedia përforcoi vendosmërinë e gazetares Ana Politkovskaja për të kritikuar qeverinë ruse për luftën në Çeçeni dhe shkeljen e të drejtave të njeriut atje.

Sipas dokumentarit, ajo e kishte bërë këtë qysh nga fundi i viteve 90-të. Në pamje nga arkivat, ajo thotë se ishin përpjekur ta vrisnin në vitin 2004. Ajo tregon rastin kur gjatë një fluturimi për në Çeçeni iu dha çaj i helmuar.

Padyshim që donin të më vrisnin, pasi arrita në dhomën e urgjencës në aeroport me tensionin e gjakut dhe pulsin 0. Mjekët e kanë konfirmuar këtë.

Dy vjet pas kësaj interviste, në tetor të vitit 2006, Politkovskaya u qëllua për vdekje. Vrasësit ende nuk janë gjetur.

Ella Esoyan, menaxhere e programit Freedom House për Kaukazet thotë se Rusia sot është një nga vendet më të rrezikshme për gazetarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut.

"Vetëm këtë vit pamë dy vrasje makabre në mes të ditës në Moskë – atë të Stanislav Markelov dhe Anastasi Baburova. Të dy punonin për çështje të të drejtave të njeriut. Pra me rritjen e mosndëshkimeve për krimet ndaj gazetarëve në Rusi, nuk ka shënja që kjo tendencë të ndryshojë" - thotë ajo

Dokumentari tregon se rusët janë bërë apatetik dhe cinik rreth shtypjes. Vetëm dy vjet pas vdekjes së zonjës Politkovskaya, shumë rusë nuk janë të shqetësuar.

Dokumentari përshkruan një fasadë të zymtë të vendit që thotë se po zhytet në gjak, po gjymtohet nga korrupsioni dhe mungesa e lirive civile. Dhe megjithëse shikuesi nuk gjen rrugëzgjidhje, ai e kupton se ka ende njerëz, të gatshëm të rrezikojnë jetët e tyre për të zbuluar të vërtetën. //mm//

XS
SM
MD
LG