Lidhje

Lista e terroristëve të kërkuar shkakton debate dhe ankesa



Byroja Federale e Hetimeve, FBI, thotë se lista e qeverisë për mbikqyrjen e terroristëve të njohur ose të dyshuar është shtrirë në rreth 1 milion emra. Kjo listë, e përdorur nga agjencitë e zbulimit dhe të rendit për të parandaluar akte terroriste, është zgjeruar vazhdimisht që prej vitit 2003 kur FBI-ja krijoi një qendër për të grumbulluar, analizuar dhe ndarë informacionin rreth terroristëve të dyshuar. Por ndërsa kjo listë shikohet nga FBI-ja si një mjet i rëndësishëm kundër terrorizmit, ajo ka ngjallur edhe shumë debate e ankesa.

Për disa udhëtarë, kalimi nëpër pikat e sigurisë në aeroporte nuk është diçka e lehtë. David Nelson thotë se shpesh ai ndalet në pikat e kontrollit.

Një tjetër person i quajtur David Nelson gjithashtu ndalohet vazhdimisht nga personeli në pikat e kontrollit. Ata janë mes qindra udhëtarëve me emrin David Nelson, të cilat janë ndaluar sepse bëjnë pjesë në listën e personave që nuk duhet të udhëtojnë me avjon sepse dyshohen si terroristë. Lista ka qënë burim ankesash të herë pas hershme nga mijëra udhëtarë të pafajshëm, emri i të cilëve është futur në këtë listë. FBI-ja thotë se lista e personave të dyshuar në fluturime është një pjesë e vogël e listës së qeverisë për mbikqyrjen e terroristëve, e cila hartohet nga agjenci të zbulimit e të sigurisë kombëtare.

I gjithë informacioni menaxhohet dhe mbahet në qendrën e terrorizmit të FBI-së në periferi të Uashington. Agjentët mbledhin dhe analizojnë informacionin çdo ditë. Pastaj ata ia kalojnë agjencive të tjera të rendit. Tim Healy është drejtor i kësaj qendra.

“Lista duhet të jetë e saktë dhe e plotë. Është me rëndësi që lista të jetë e plotë sepse ata nuk duan t’u shpëtojë njeri. Bëhet fjalë për një veprim të balancuar mes shqetësimit të qytetarëve privatë dhe sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhe ky është një hap i balancuar që kihet parasysh çdo ditë”.

Një revizionim i zyrës qeveritare të kontrolleve arriti në përfundimin se lista e konsoliduar për mbikqyrjen e terroristëve të dyshuar është zgjeruar ndjeshëm nga 288 mijë emra në vitin 2005 në një milion këtë vit. Autoritetet thonë se lista mbikqyrëse është një mjet për uljen e kërcënimit terrorist. Qëllimi i saj kryesor është që të sigurohet se individët në listë kontrollohen si duhet kur ndalohen nga policia për shkelje të trafikut ose kur njerëzit përpiqen të hynë në vend nga destinacione ndërkombëtare. Një telefonatë në qendrën për mbikqyrjen e terroristëve nga policia mund të përcaktojë menjëherë nëse emri në listë përkon apo jo me personin e kapur.

“Ne po angazhojmë agjenci lokale dhe shtetrore të rendit për të shkëmbyer informacion, madje ne po angazhojmë njësi të tjera federale për ndarjen e informacionit rreth terroristëve të njohur e të dyshuar”.

Por disa thonë se përpjekjet e qeverisë nuk janë të mjaftueshme. Xhei Stanley i Unionit Amerikan për Liritë Civile në Uashington thotë se lista shkel të drejtat e qytetarëve.

“Të gjithë e pranojnë se Osama bin Laden dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të jenë në listën e terroristëve dhe me këtë nuk ka problem, por qeveria duhet ta bëjë këtë me shumë kujdes dhe të caktojë procedura shumë të ashpra. Punonjësit përkatës jo vetëm që duhet të jenë të kujdeshëm t’i shtojnë emrat në listë, por edhe t’i heqin ato”.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se 51 mijë njerëz janë ankuar që prej vitit 2007 dhe thonë se emrat e tyre u futën gabimisht në listë.

FBI-ja thotë se 33 mijë emra u hoqën nga lista vitin e kaluar, bazuar në informacionin e vjetëruar dhe hetimet e përfunduara. 95 per qind e njerzve në listë nuk janë qytetarë amerikanë. Por Rachel Meeropol, avokate në Qendrën për të Drejtat Kushtetutore në New York, thotë se 1 milion emrat në listë përbëjnë një numër shumë të madh.

“Kurdoherë që krijohet një rrjet kaq i madh, burimet e rendit nuk mund të përqëndrohen tek individët, për të cilët ka informacion se kanë lidhje me terrorizmin”.

Ndërsa janë shtuar masat e sigurisë në aeroportet e vendit dhe në kufi, FBI-ja thotë se lista për mbikqyrjen e terroristëve është një mjet i vlefshëm kundër terrorizmit jo vetëm në Shtetet e Bashkuara.

Ata thonë se informacioni nga lista po ndahet edhe me Kanadanë, Australinë dhe aleatë të tjerë në përpjekjet globale për të luftuar dhe kapur terroristët e njohur dhe ata të dyshuar.//rd//

XS
SM
MD
LG