Lidhje

Shqipëri: Opozita dhe Ministria e Brendshme, replika për kartat


Në Tiranë, opozita dhe ministria e Brendshme janë perfshirë në replika në lidhje me transparencën e procesit të kartave të identetit.Opozita thotë se prodhimi dhe shpërndarja e kartave është nje proces aq konfuz sa nuk jep garanci për zgjedhjet e ardhshme. Por ministria e Brendshme thotë se e ka njoftuar rregullisht Partinë Socialiste dhe puna po ecën normalisht.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti vazhdon normalisht në të gjithë vendin, ndërkohë që kanë filluar edhe kompensimet e pensionistëve dhe shtetasve të tjerë.

Sipas njoftimit të ministrisë së Brendshme, rreth 340 mijë shtetas përfitojnë kompensime nga qeveria. Skema e kompensimit që parashikon vendimi i qeverisë ka nisur të zbatohet dhe deri tani kanë përfituar 90 mijë pensionistë pa pasaportë. Ata kanë marrë nga posta 1 mijë lekë nga 1 mijë e dyqind që kushton gjithsej karta e identitetit.

Ministria e Brendshme reagoi pas ankesave të opozitës për mungesë informacioni në lidhje me procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Përfaqësuesit e rendit publik thanë se e kanë informuar me shkresa zyrtare Partinë Socialiste dhe opozitën në mënyrë të rregullt me një periodicitet disaditor duke filluar që nga 2 shkurti deri në 6 maj.

Po ashtu ministria e Brendshme ka verifikuar të gjitha rastet e pretenduara nga Partia Socialiste për personat pa pasaportë që sipas saj, nuk gjenden në listat e ministrisë, por listat, tha ministria, kanë qenë tepër të sakta.

Ndërkohë në të gjithë vendin me kupona 200 lekë po pajisen të gjithë shtetasit pa pasaportë.

Në seancën e djeshme parlamentare opozita socialiste u shpreh skeptike se ecuria e procesit të kartave nuk jep garanci se të gjithë shqiptarët do kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të votuar.

Valentina Leskaj, kryetare e grupit të deputetëve socialistë tha se ende në 31 njësi nuk ka filluar procesi i aplikimit, nuk ka asnjë stacion lëvizës edhe pse sipas kontratës duhej të kishte 100 stacione të tillë.

Partia Socialiste vlerëson se ky process nuk është transparent, dhe mungon lista e saktë e njerëzve pa pasaportë, ndërkohë që diferenca mes numurit të deklaruar nga ministria dhe atyre që realisht nuk disponojnë pasaportë është i madh.

Opozita socialiste deklaroi se mungesa e transparencës e vë në dyshim serioz procesin. Konfuzioni në disa stacione aplikimi mbetet shqetesues, ndaj duhen marrë masa përballë kësaj situate sa nuk është vonë.

Sipas Partisë Socialiste, problemet që hasin qytetarët për të marrë kartat provojnë mungesën e vullnetit të qeverisë për të zbatuar detyrimin ligjor për paisjen e shtetasve me karta, duke ngjallur dyshime për manipulim të zgjedhjeve nga qeveria. //ii

XS
SM
MD
LG