Lidhje

Raport i GNK-së për integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës

  • Isabela Çoçoli

Grupi Ndërkombëtar i Krizave nxori një raport të ri me titull “Integrimi i serbëve në Kosovë: Vendimi për të ecur përpara”, në të cilin argumenton se një integrim i tillë është një sfidë me rëndësi të veçantë për shtetin më të ri në Evropë. Në raport thuhet se duhen bërë përpjekje edhe më të mëdha për ta bindur minoritetin serb se e ardhmja e tij është në Kosovë.

Varianti më i mirë për integrimin e minoritetit serb, rekomandon raporti, është nëpërmjet zbatimit të planit gjithëpërfshirës të decentralizimit siç parashihej në planin Ahtisaari, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por për të fituar përkrahjen e serbëve në këtë përpjekje, Prishtina duhet të mos e ngarkojë këtë proces me retorikën e pavarësisë së Kosovës, thuhet në raport.

Megjithë thirrjet e Beogradit për bojkotimin e institucioneve të Kosovës, një numër gjithnjë e më i madh serbësh, vërren GNK në raportin e tij, po bashkëpunojnë praktikisht me këto institucione, duke u mbështetur në shërbimet e tyre, duke aplikuar për dokumentet e Kosovës dhe po ashtu duke pranuar pagat nga buxheti i saj.

Për qeverinë e Kosovës, raporti rekomandon që decentralizimi të bëhet përparësi kryesore nëpërmjet një procesi gradual, duke i vënë theksin rëndësisë lokale që ai ka, pa e lidhur këtë me pavarësinë; të theksohen përfitimet që vinë nga ky decentralizim me një fushatë aktive në terren për të gjitha grupet etnike, jo vetëm për serbët; dhe të bëhen veprime të tilla që do t’i bindnin serbët për përfitimet që sjell decentralizimi, si projektet kapitale dhe investimet, ku të përfshihen dhe të kenë autoritetin e tyre përfaqësuesit serbë të qeverisë lokale. Ndërsa për serbët e Kosovës raporti rekomandon që të angazhohen me pragmatizëm në institucionet e Kosovës, për të realizuar përfitime të ndjeshme nga decentralizimi.

Për qeverinë e Serbisë raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave rekomandon që të mos dekurajojë serbët e Kosovës të marrin pjesë në procesin e decentralizimit; t’u ofrojë atyre ndihmë teknike dhe financiare pa cënuar institucionet e vendit dhe pa i izoluar nga shoqëria rreth tyre; të ndërpresë përkrahjen për strukturat paralele serbe në Kosovë, të cilat në shumicën e rasteve nuk u kanë ofruar shërbime serbëve; si dhe të ndalë përkrahjen për ata individë serbë, për të cilët ka të dhëna se janë të angazhuar në afera korruptive apo kriminale; dhemadje në bashkëpunim me EULEX-in t’i nxjerrin ata para drejtësisë.

Raporti i Grupit Ndërkombëtar i Krizave me titull “Integrimi i serbëve në Kosovë: Vendimi për të ecur përpara”, bën edhe një sërë rekomandimesh për komunitetin ndërkombëtar që të krijojë kushte të përshtatshme për zbatimin me efikasitet të procesit të integrimit të serbëve në jetën e Kosovës dhe të ndihmojë për një dialog konstruktiv mes Beogradit dhe Prishtinës për çështjet që prekin serbët e Kosovës. (ze)

XS
SM
MD
LG