Lidhje

Obama, fitore në reformimin e sistemit shëndetësor amerikan


Presidenti Barak Obama arriti një fitore të rëndësishme në betejën e tij për të reformuar sistemin shëndetësor amerikan. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Paula Wolfson, disa nga ish kundërshtarët e reformave tani po ofrojnë përkrahjen e tyre.

Industria e kujdesit shëndetësor thotë se dëshiron të marrë pjesë në përpjekjet për të reformuar këtë sistem.

Pas takimit me përfaqësuesit e kësaj industrie në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se ata kanë premtuar të ulin koston e kujdesit shëndetësor.

“Këto grupe janë bashkuar vullnetarisht për të ndërrmarrë një angazhim të pashembullt.”

Presidenti tha se ata kanë premtuar të shkurtojnë ritmet e rritjes së shpenzimeve për shëndetësinë në shkallë vendi në masën 1,5 përqind në vit gjatë dekadës së ardhëshme. Kjo, tha Presidenti, përfaqëson një kursim prej 2 trilion dollarësh.

Në se këto kursime realizohen, prej tyre do të përfitonin jo vetëm konsumatorët por edhe qeveria federale e cila financon shërbimet shëndetësore për të moshuarit dhe të varfërit përmes programeve federale të quajtura Medicare dhe Medicaid.

Presidenti Obama thotë se premtimet e kësaj industrie janë një hap i parë i rëndësishëm në përpjekjet e tij për të reformuar sistemin e kujdesit shëndetësor amerikan. Në fjalimin e shkurtër që mbajti në Shtëpin e Bardhë, ai tha se vendi nuk mund të presë më.

“Ajo që na mblodhi këtu sot është vetëdijësimi se ne nuk mund të vazhdojmë të njejtën rrugë të rrezikshme në të cilën kemi ecur për shumë vite me radhë, pasi kostoja e shërbimit shëndetësor ka dalë jashtë kontrollit dhe reformimi i këtij sistemi nuk është një luks që mund të shtyhet, por një domosdoshmëri që nuk mund të presë.”


Premtimi i industrisë së shërbimit shëndetësor përbën një ndryshim në krahasim me qendrimin e mbajtur nga shumë kompani të sigurimeve shëndetësore në vitin 1993, kur ato bllokuan një përpjekje për reformë të ndërmarrë nga presidenti i atëhershëm Bill Klinton.

Presidenti Obama po i kërkon Kongresit të miratojë një ligj për reformën shëndetësore deri në fund të këtij viti. Analistët thonë se duke shprehur gatishmërinë për të ulur koston, industria e kujdesit shëndetësor po siguron një vend në tryezën e negociatave për këtë qëllim.//ap.


XS
SM
MD
LG