Lidhje

Kujtimi i Holokaustit rishfaqet gjatë vizitës së Papës në Jeruzalem


Një nga çështjet më delikate mes Vatikanit dhe Izraelit është pretendimi nga shumë hebrej se Papa Pius i 12-ti, i cili pritet të lumturohet, nuk bëri sa duhej për parandalimin e vrasjes së miliona hebrejve nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Selia e Shenjtë thotë se kjo temë nuk do të jetë pjesë e vizitës së Papa Benediktit në Izrael. Papa vizitoi të hënën përkujtimoren e Holokaustit, “Yad Vashem” ku zhvilloi homazhe. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Jeruzalemi, qëndrimi i Vatikanit ndaj Holokaustit do të jetë një çështje e debatueshme gjatë vizitës së Papës.

Rabiu 72 vjeçar, Jizrael Lau, shfleton faqet e një libri në zyrën e tij në Tel Aviv. Aty ai sheh një foto bardhezi të një motaku bjond me flokë kaçurrela.

"Kjo, - thotë ai, - ishte fotoja e vetme që gjetëm para luftës, një foto e imja kur isha 1 vjeç. E gjetëm atë përmes hallës sime, pasi babai ia kishte dërguar asaj kur unë isha 1 vjeç. Kjo është fotoja e vetme që kam deri në moshën tetëvjeçare, kur u lirova nga kampi Bukenwald."

Ky është kujtimi i vetëm që Rabiu ka nga jeta e tij para se pushtuesit nazistë ta dërgonin atë dhe familjen e tij me qerre në kampet e vdekjes, aty ku u vranë prindërit e tij. Zoti Lau tani shërben si rabiu kryesor në Tel Aviv. Ai e kujton mirë se një person jo i fesë hebre i shpëtoi jetën në kampin e përqendrimit “Buchenwald”. Ai thotë se ishte një oficer rus nga qyteti i Rostovit, një i burgosur lufte, që quhej Fjodor, personi që e kishte shpëtuar dhe trajtuar si fëmijën e tij.

Por, si shumë hebrej në Izrael, edhe Rabiu Lau nuk ndjehet mirë për rolin që kanë luajtur jo-hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si të krishterët e Europës dhe veçanërisht përfaqësuesit e fesë katolike romane të cilët nuk reaguan kur miliona hebrej po zhdukeshin.

Pikërisht kjo ndjenjë reflektohet në muzeumin përkujtimor “Yad Vashem” të Izraelit, ku para vizitorëve paraqiten krimet e nazistëve kundër hebrejve. Por, njëra nga ekspozitat ka ndezur shumë debat, pasi ajo trajton rolin e Vatikanit gjatë Holokaustit. Aty thuhet se në atë kohë, Papa i 12-të nuk protestoi kundër krimeve naziste as me fjalë e as në mënyrë të shkruar. Kjo lë të kuptohet se Vatikanit qëndroi duarkryq kundrejt krimeve naziste.

Por Vatikani e hedh poshtë këtë gjë dhe thotë se Papa Piu, Kisha e të cilit kërcënohej në atë kohë, ndihmoi hebrejte pa shumë fjalë dhe me kurajo.

Dëshmi nga të mbijetuar të Holokaustit tregojnë se veprimet e Papës, si urdhërat që hebrejtë të strehoheshin në manastire dhe prona të Selisë së Shenjtë dhe të Papës konfirmojnë deklaratat e Vatikanit.

Një dokument i vitit 1943 i shërbimeve amerikane të zbulimit thotë se “Vatikani kishte ndihmuar për një kohë të gjatë shumë hebrej t’i shpëtonin regjimit nazist”.

Sipas shtypit, Papa telefonoi disa herë nazistët duke kërkuar t’i jepej fund persekutimit të hebrejve. Pas luftës, një numër hebrejsh të mirënjohur, si ish kryeministrja e Izraelit Golda Meir dhe fizikani Albert Ainshtain, falenderuan Papën dhe Vatikanin për përpjekjet e tyre në ndihmë të hebrejve.

Por sot, shumë njerëz në Izrael përfshirë edhe Rabin Lau nuk dinë gjë për faktet mbi rolin pozitiv të Papa Piut. Të tjerë nuk janë të informuar mbi ndryshimet që Kisha Katolike ka bërë në mësimet e veta që pas Holokaustit.

Ati Dejvid Nojhaus në Institutin Biblik Papal në Jeruzalem është prift jezuit me origjinë hebreje i cili po kështu humbi të afërm gjatë Holokaustit. Ai merret me çështjet hebrejo-katolike.

"Hapi më i rëndësishëm besoj se mund të jetë që Kisha Katolike e ka parë rolin e saj në mënyrë kritike duke e rivlerësuar atë. Sigurisht u kuptua se, ndonëse Holokausti nuk ishte shkaktuar nga katolikët, ai nuk do të kishte ndodhur nëse të krishterët do t’i kishin shpërfillur hebrejtë kaq shumë”.

Kisha e ka deklaruar mëkat anti-semitizmin, ka hequr nga mësimet e saj thënien se “hebrejtë e vranë Krishtin” dhe ka marrë masa të tjera me qëllim pajtimin ndërfetar. Vizita në Jeruzalem në vitin 2000 e Papa Gjon Palit luajti një rol shumë pozitiv në këtë drejtim. Papa e dënoi persekutimin e hebrejve nga të krishterët kudo dhe kurdoherë të ketë ndodhur në histori. Por, siç thotë rabiu Lau, asgjë në botë nuk mund ta zhbëjë dëmin e bërë. I pyetur sesi i sheh sot të krishterët e Polonisë, ai thotë se:

"Mund të them vetëm diçka: Nuk do të harroj kurrë dhe nuk jam i autorizuar të fal”.

Për Rabiun Lau dhe shumë të tjerë që e mbajnë mend Holokaustin, kujtimi i tij është shumë i freskët dhe dhimbja shumë e madhe për t’i dhënë fund këtij kapitulli.//lk

XS
SM
MD
LG