Lidhje

Mënyra të tjera kundër mbipeshës; Gjeni i autizmit; Acidi Folik kundër astmës


Mënyra të tjera kundër mbipeshës

Të dhënat tregojnë se rritja e taksës së duhanit shkurajon njerëzit të mos pijnë cigare. Disa tani mendojnë se e njëjta strategji mund të përdoret edhe kundër mbipeshës trupore, duke vënë taksa të larta ndaj disa lloj ushqimesh.

Fëmijët amerikanë aktualisht pijnë më shumë pije të ëmbëla se sa qumësht. Kjo pjesërisht për arsye ekonomike, sepse 1 litër e koka-kola, p.sh., kushton më pak se sa 1 litër qumësht.

Disa ekspertë tani kanë dale me propozimin që ndaj pijeve të ëmbëla të vendoset një taksë më e lartë. Ata argumentojnë se shtimi i taksës në paketat e cigareve ka ndihmuar në uljen e numrit të atyre që pijnë duhan. Tani, disa shtete si Maine dhe Nju Jork po shqyrtojnë një hap të ngjashëm për të pakësuar konsumimin e pijeve të ëmbla si koka-kola, pepsi-kola etj.

Studimet vazhdimisht kanë treguar se njerëzit që marrin pije të ëmbëla janë të prirur të jenë mbipeshë, konsumojnë më shumë kalori dhe janë në rrezik më të lartë për t’u prekur nga diabetet. Sipas përllogaritjeve që bëjnë ekspertët, një taksë prej 10 përqind për pijet e ëmbëla mund të pakësojë 10 përqind konsumimin e tyre. Ata thonë se edukata shëndetësore nuk po jep rezultate dhe se e vetmja mënyrë për t’i bërë njerëzit të heqin dorë nga konsumimi i pijeve të ëmbëla me kalori të larta, është t’i prekësh atje ku i dhemb; në xhepin e tyre - dhe taksa e lartë ndihmon, thonë ata.

Por edhe kompanitë e prodhimit të pijeve të ëmbëla nuk rrijnë pa kundërshtuar. Firma PepsiCo po shqyrton mundësinë e shpërnguljes së zyrave të veta qëndrore nga Nju Jorku, nëse ky shtet propozon apo lejon rritjen e taksave ndaj prodhimeve të saj. Largimi i kësaj firme do të sillte mbylljen e një numëri fabrikash të saj në këtë shtet, dhe si rezultat humbjen e vendeve të punës për mijëra banorë.

Gjenet që shkatojnë autizmin


Rezultatet e përbashkëta të tre studimeve të reja në fushën gjenetike kanë njëjtësuar gjenet përgjegjës kryesorë që shkaktojnë autizmin, një çrregullim neurologjik. Sipas revistës Nature - Anale të gjenetikës, shumë ndryshime që ndodhin tek gjenet që janë përgjegjës për formimin dhe mirëmbajtjen e lidhjeve midis pjesëve të trurit, i vënë njerëzit në rrezik të ndeshen me autizëm. Këto rezultate mund t’i shtyjnë shkencëtarët që t’i përqëndrojnë kërkimet e tyre në gjetjen e shkaqeve të autizmit dhe ndoshta në trajtimin e këtij çrregullimi neurologjik në të ardhmen.

Qëndra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve përllogarit se 1 në çdo 166 fëmijë vuan nga autizmi në Shtetet e Bashkuara Rezultatet e tre studimeve të fundit tregojnë se gjenet që luajnë rol në formimin e lidhjeve midis pjesëve të ndryshme të trurit i venë njerëzit në rrezik të vazhdueshëm për t’u prekur nga autizmi. Të trija studimet kishin si objektiv gjetjen e shkaqeve të këtij çrregullimi të ndërlikuar duke parë a studiuar dallimet në ADN midis njerëzve që kanë autizëm dhe atyre që nuk kanë.

Studimi më i madh në këtë grup mori në shqyrtim më shumë se 10 mijë persona. Shumë prej gjeneve të ndryshuar paraqisnin vetëm një rrezik të vogël në vetëvete. Por së bashku, ndryshimet e vogla në gjenin e një kromozoni të vetëm mund të jenë përgjegjës për 15 përqind të rasteve të autizmit. Shkencëtarët thonë se këto gjene mund të të ndryshojnë lidhjet e qelizave në tru tek personat me autizëm.


Acidi folik edhe kundër astmës e alergjive


Acidi folik, i rëndësishëm për parandalimin e lindjeve defektoze, mund të ndihmojë gjithashtu për të luftuar astmën dhe alergjitë, thuhet në një studim botuar në revistën mjekësore të imunologjisë. Gjatë studimit, mjeket morrën në shqyrtim mbi 8 mijë persona dhe vunë re se ata që kishin nivele të larta folati në gjak ishin më pak në rrezik për t’u prekur nga simptomat e astmës dhe alergjisë.

Acidi folik quhet gjithashtu edhe vitaminë B9, marrja e së cilës është e rëndësishme për shëndetin e qelizave të reja në organizëm. Kur vitamina B9 merrret nga grate shtazëne, ajo ndihmon për pakësimin e gjasave të defekteve të shtyllës kurrizore tek foshnjet e palindura.

Por studimi i ri lë të kuptohet se vitamina B9 mund të pakësojë edhe rrezikun e prekjes nga astma dhe alergjitë. Mjekët pranë universitetit Xhons Hopkins ekzaminuan të dhënat mjekësore të më shumë se 8 mijë personave nga mosha 2 vjec deri më 25 vjeç. Shkencëtarët arritën në përfundimin se personat me nivele të larta acidi folik në gjak kishin më pak gjasa të shfaqnin simptoma të astmës dhe alergjive. Gjatë analizave të gjakut, sistemet e tyre imunitare treguan më pak shenja të ndjeshmërisë alergjike.

Shkencëtarët thonë se është herët të këshillohet që njerëzit të marrin acid folik shtesë në formë tabletash për të pakësuar rrezikun ndaj astmës dhe alergjisë, por ata po planifikojnë një studim për të shqyrtuar këtë çështje.

Por acidi folik mund të merret edhe nëpërmjet ushqimeve. Ekspertët thonë se nënproduktet e drithrave, perimet jeshile si sallata e spinaqi, frutat dhe lloje arrash janë të pasur me acid folik.

Lexo dhe komento; http://astritlulushi.wordpress.com/

XS
SM
MD
LG