Lidhje

Janiç: Strukturat paralele në Kosovë pengojnë integrimin e serbëve

  • Edona Demaj
  • Prishtinë

Bashkërenduesi i Forumit për Marrëdhënie Etnike, me seli në Beograd, Dushan Janiç, thotë se veprimi i strukturave paralele serbe në Kosovë paraqet pengesën kryesore për integrimin e pjesëtarëve të komunitetit serbë në shoqërinë e Kosovës. Në një bisedë për "Zërin e Amerikës", zoti Janiç thekson nevojën e bashkëpunimit më të madh të institucioneve të Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për themelimin e komunave të reja me shumicë serbe në mënyrë që qytetarët serb, siç thotë ai, të kenë arsye të ndjejnë më pak trysninë që u bëhet nga Beogradi.

Ky është një nga problemet më serioze sepse ekzistojnë institucionet paralele të cilat financohen dhe mbështeten nga Beogradi dhe ato institucione ndjekin rrugën e ndarjes në vija etnike. Kjo paraqet një pengesë për integrimin e serbëve në shoqërinë e Kosovës… Një problem tjetër është edhe përvoja e ndërsjellë e njerëzve në nivel lokal, pra frika e tyre, apo siç e thonë serbët siguria e tyre, dhe i vetmi ilaç që mund t’i gjejë zgjidhje këtij problemi është që institucionet të kenë një strategji dhe të ndjekin udhëzimet për sundimin e ligjit dhe kthimin e pronave”,- thotë zoti Janiq.

Sipas tij, serbët të cilët kanë vendosur të rrinë në Kosovë me kohë do ta ndjejnë nevojën për tu integruar dhe për t’iu drejtuar institucioneve të Kosovës. Ai tërheq vërejtjen edhe në marrëdhëniet jo të mira ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e të cilat sipas tij, ndikojnë edhe në integrimin e komunitetit serb...

“Beogradi dhe Prishtina kanë një problem të mëhershëm. Beogradi nuk e njeh Prishtinën si kryeqytet të pushtetit të pavarur në Kosovë. Është shumë e vështirë që të parashikohet nëse Beogradi do të ndryshojë bojkotimin ndaj Prishtinës si kryeqytet i një shteti të pavarur…Këtu mendoj se mund të ndihmojë Bashkimi Evropian duke filluar me bisedime të veçanta me Beogradin në mënyrë që të flitet për një marrëveshje mbi bashkëpunimin për zbatimin e statusit aktual të Kosovës dhe nëpërmjet EULEX-it t’i ndihmojë Prishtinës që të zhvillojë një program serioz për integrimin e serbëve në Kosovë...”, - thotë ai.

Edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e tij të fundit për Kosovën, ka hedhur një sërë rekomandimesh për komunitetin ndërkombëtar dhe institucionet e Kosovës që të që të krijojnë kushte të përshtatshme për integrimin e serbëve dhe për të mbështetur një dialog konstruktiv ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për çështjet që prekin serbët e Kosovës. Integrimi i komuniteteve, posaçërisht atij serb shihet si një nga sfidat më të mëdha për institucionet e Kosovës edhe nga udhëheqësit e vendit.

Mospajtimet për pavarësinë e Kosovës kanë ndikuar edhe në pjesëmarrjen e vogël të serbëve në institucione, me gjithë thirrjet e vazhdueshme të autoriteteve që pjesëtarët e këtij komuniteti të integrohen në jetën politike të Kosovës e të heqin dorë nga strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi.//lk

XS
SM
MD
LG