Lidhje

SHBA: Shenja përmirësimi në tregun e shtëpive


Shifrat e reja të numrit të shtëpive në treg lenë të kuptohet se kriza e shtëpive në Shtetet e Bashkuara mund të ketë arritur fundin dhe mund të jetë në prag të rimëkëmbjes. Të dhënat e fundit nga kompania për shitjet e pasurive të patundshme në internet ZipRealty tregojnë se numri i shtëpive për shitje, apo siç njihet ndryshe inventari i shtëpive, ra muajin e kaluar në shumicën e tregjeve amerikane, çka ndihmoi në stabilizimin e çmimeve. Ekspertët financiarë thonë se këto janë lajme inkurajuese dhe tregues se rimëkëmbja ekonomike mund të mos jetë e largët.

Ekspertët thonë se një treg i fuqishëm shtëpish është kyç për rimëkëmbjen e ekonomisë. Ka shenja të reja që tregojnë se ndoshta blerësit e shtëpive po kthehen në treg.

Kompania në internet ZipRealty thotë se jo vetëm që numri i blerësve të mundshëm është rritur, por edhe numri i shtëpive për shitje ka rënë. Pat Lashinski është drejtor ekzekutiv i ZipRealty.

"Inventari i shtepive po bie gjatë një stine që zakonisht rritet. Edhe çmimi mesatar i shtëpive për shitje ka filluar të rritet."

Inventari i shtëpive ndihmon në matjen e gjendjes së tregut përmes vlerësimit të kohës së nevojshme për shitjen e shtëpive në treg. Gjashtë muaj është mesatarja, por të dhënat e kompanisë ZipRealty tregojnë se koha e shitjes ka rënë nga 11 muaj që ishte në tetor 2007 në tetë muaj e gjysëm në prill.

Lorens Jun, krye-ekonomist në Shoqatën Kombëtare të Sekserëve, thotë se kur inventari fillon të bjerë, çmimet fillojnë të rriten.

"Fakti që inventari po bie do të thotë se së shpejti mund të shohim që çmimet e shtëpive të fillojnë të stabilizohen. Në disa tregje edhe mund të rriten. Pra rënies së çmimeve që kemi parë gjatë tre vjetëve të fundit mund t'i ketë ardhur fundi."

Zoti Lashinski thotë se ka një numër faktorësh që po i motivojnë blerësit. Këtu përfshihen çmimet e lira, interesat e ulëta të kredive dhe kredija prej 8 mijë dollarësh në taksa që ka dhënë administrata e presidentit Obama për blerësit e shtepive per herë të parë.

"Shihet një ndryshim që nuk e kemi parë për 18 muaj."

Por optimizmi në tregun e shtëpive nuk do të thotë se shtëpitë me kredi të papaguara dhe tabelat para shtëpive për shitje do të zhduken së shpejti. Papunësia mbetet ende e lartë dhe kreditë janë të vështira për t'u marrë.

Por një shenjë tjetër se problemet ekonomike në Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke u lehtësuar është njoftimi i së martës nga kompania Citigrud, se kishte miratuar mbi një miliard dollarë kredi shtëpish gjatë tre muajve të parë të vitit 2009. //ad//

XS
SM
MD
LG