Lidhje

Shqipëri: Prokuroria heton nxjerrjen në media të dosjes Gërdeci


Në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka nisur hetimet lidhur me publikimet ditët e fundit në media të dokumenteve që janë pjesë e dosjes për çështjen e shpërthimit të Gërdecit më 15 mars të vitit të kaluar ku mbetën të vrarë 26 persona dhe afër 300 të tjerë u plagosën.

Sipas Prokurorisë, të gjitha aktet e provat u janë vënë në dispozicion 29 të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre por me paralajmërimin për t’i mos publikuar ato.

Sipas Prokurorisë, “dhënia e këtyre materialeve mediave, nga personat të cilët kanë tashmë detyrimin ligjor për të mos i publikuar, jo vetëm dëmton zhvillimin e procesit të rregullt ligjor në gjykimin e kësaj çështjeje, por në to ka dhe akte që janë sekrete, e që përhapja e tyre përbën vepër penale”.

Për këtë arsye, edhe hetimet që do të zhvillohen nga Prokuroria e Tiranës do të përqendrohen në veprën penale të “zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete”.

Reagimi i prokurorisë vjen disi me vonesë pasi një pjesë e madhe e shtypit në Shqipëri ka afër një javë që ka nisur publikimin e elementëve të marrë nga dosja Gërdeci.

Në materialet e publikuara bëhet fjalë për biseda të përgjuara të dy prej personazheve kryesorë të përfshirë në këtë ngjarje, pronarit të fabrikës së demontimit të municioneve Mihal Delijorgji dhe drejtorit të ndërmarrjes së import eksportit të armëve Ylli Pinari, letërkëmbime dhe dëshmi, si dhe lidhjet politike të Delijorgjit.

Në shtyp janë publikuar gjithashtu dokumente të ndryshëm, përmes të cilëve janë ngritur akuza për përfshirjen në çështjen e Gërdecit edhe të djalit të Kryeministrit Sali Berisha. //ii

XS
SM
MD
LG