Lidhje

SHBA: Rritet numri i armëve të shitura


Shitjet e armëve janë shtuar në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe shumë tregtarë nuk arrijnë të kenë rezerva furnizimesh në dyqanet e tyre. Shitjet e armëve u rritën dukshëm nëntorin e kaluar, në të njëjtin muaj që votuesit zgjodhën presidentin e ri. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhef Suikord vizitoi një panair armësh jashtë kryeqytetit Uashington, ku tregtarët dhe blerësit e armëve thanë se rezultatet e zgjedhjeve ndikuan tek rritja e numrit të armëve të shitura.

Sikurse miliona amerikanë të tjerë, edhe Xhois Anderson ka armë personale.

"Më pëlqen, e kam për zbavitje," thotë një pronar armësh.

Sipas statistikave, Xhois nuk është i vetmi. Shifrat e FBI-së tregojnë se kontrollet biografike, të cilat kërkohen për të blerë një armë, janë rritur me mbi 25 përqind gjatë katër muajve të parë të këtij viti. Ne vizituam këtë panair armësh jashtë kryeqytetit Uashington për të gjetur arsyen.

Anet Eliot ka promovuar panairet e armëve për rreth 30 vjet. Panairet e saj janë të mbushura me armë antike dhe moderne.

"Klinetët tanë kryesorë janë koleksionues dhe gjuetarë. Porositë e prapambetura filluan që nga nëntori dhe turmat filluan të vinin që në tetor, kur filluan të mendonin se zoti Obama mund të fitonte."

Shoqata Kombëtare e Armëve paraqiste këtë reklamë gjatë fushatës presidenciale.

"Mora vesh se Barak Obama do të taksojë armët dhe municionin tim. Dhe se ai ka votuar për ndalimin e municionit për gjuetinë e drerëve. Nga vjen ky njeri...?"

Kritikët vënë në dukje se kjo shoqatë, e cila është lobistja më e madhe për armëmbajtjen, ka bërë që shumë votues të mendojnë se zoti Obama donte të vinte kufizime në mbajtjen e armëve.

"Asnjë politikan nuk do të më heqë armët dhe municionin."

Organizata si Factcheck.org dhe Fushata Bredi për Parandalimin e Dhunës nga Armët thonë se këto reklama ishin keqinformuese dhe të pasakta. Pol Helmke është në Fushatën Bredi.

"Me sa duket, njerëzit që i kanë parë këto reklama u kanë besuar mesazheve të tyre, prandaj dalin dhe blejnë armë të tjera."

Shoqata Kombëtare e Armëve nuk e pranoi kërkesën e Zërit të Amerikës për intervistë.

Tregtari i armëve Rendi Klark, i cili shet armë zjarri, thotë se shitjet janë rritur me 40-50 përqind kohët e fundit.

"Njerëzit mendojnë se duhet t'i blejnë armët tani. Mendojnë se mund të miratohen ligje jo favorizuese për koleksionuesit e armëve. Dhe këta të fundit janë klientët e mi kryesorë."

Edhe rënia e ekonomisë dhe frika nga krimi kontribuon në rritjen e shitjeve të armëve. Ne biseduam me disa persona që sapo kishin blerë armë për herë të parë.

"Një anëtari të familjes sonë, që jeton rreth 3 kilometra larg nesh, i hynë në shtëpi. Kjo gjë e frikësoi gruan time dhe më tha se duhet të bënim diçka menjëherë."

Aneta nuk druhet të përdorë taktikën e frikësimit të armëmbajtësve. Në një nga reklamat e saj në gazetë shkruhej "Ejani dhe blini tani që keni mundësi."

"Nëse mund t'i sjell turmat në panaire armësh vetëm me një rresht reklame, atëherë do ta bëja këtë gjithmonë."

Administrata e presidentit Obama thotë se nuk ka në plan të kërkojë masa shtesë për kontrollin e armëve tani për tani. //ad//

XS
SM
MD
LG