Lidhje

Obama: Do të ripahim gjyqet ushtarake për Guantanamon


Presidenti Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara do t’i rihapin gjyqet e zhvilluara nga komisione ushtarake për personat e dyshuar për terrorizëm që mbahen në Burgun Guantanamo të Kubës, por me kushte të reja të mbrojtjes së tyre ligjore, që nuk ekzistonin në administratën Bush.

Në një deklaratë të nxjerrë të premten, zoti Obama tha se komisionet ushtarake janë institucione me traditë të gjatë në Shtetet e Bashkuara dhe janë të përshtatshme për gjykimin e luftëtarëve armiq, që shkelin ligjet e luftës, për sa kohë që komisionet të jenë të strukturuara dhe të administruara si duhet.

Ai tha se Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates do të njoftojë Kongresin për disa ndryshime në rregulloret e funksionimit të komisioneve.

Zoti Obama tha se dëshmitë e nxjerra përmes torturave, apo trajtimit çnjerëzor nuk do të pranohen më si prova. Presidenti tha gjithashtu se do ta kufizojë shfrytëzimin e dëshmive të bazuara në fjalë të dëgjuara nga një person i tretë, dhe shtoi se të pandehurve do t’u jepet më tepër liri për zgjedhjen e avokatit të tyre si dhe do të ofrohet më tepër mbrojtje për të ndaluarit që nuk pranojnë të dëshmojnë. //bsa//

XS
SM
MD
LG