Lidhje

SHPK u ndërpret rrogat policëve serbë të pezulluar një vit më parë


Mbi 300 pjesëtarë të policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb të pezulluar nga puna më tepër se një vit më parë, nga sot nuk do të paguhen më nga buxheti i vendit. Të pezulluar nga puna disa ditë pas shpalljes së pavarësisë, pas refuzimit për t'i pranuar urdhërat e oficerëve të tyre shqiptarë, policët serbë qenë paguar nga Policia e Kosovës njësoj sikurse edhe pjesëtarët tjerë të policisë në detyre.

Që të premten ata janë të pezulluar pa pagesë deri më 30 qershor dhe nëse deri atëherë nuk kthehen në punës do tu shkëputen kontratat e punës. Zëdhënësi i policisë, Arbër Beka, tha se ky qëndrim atyre u është bërë i ditur nëpërmjet një letre të drejtorit të përgjithshëm të policisë Sheremet Ahmeti i cili u ka shkruar të gjithë të pezulluarave veç e veç.

“Ministria e Punëve të Brendshme, më 15 prill ka marrë vendim se nëse zyrtarët policorë serbë të suspenduar me pagesë nuk kthehen deri më datën 15 maj, atëherë ky suspendim nga 15 maji e tutje do të vazhdojë pa pagesë deri më datën 30 qershor. Në qoftë se deri më 30 qershor këta zyrtarë policorë nuk kthehen në detyrat e tyre të punës, atyre do t’iu shkëputet kontrata dhe nuk do të jenë më punonjës të Policisë së Kosovës”, thotë Arbër Beka, zëdhënës i Policisë.

Ai shton se katër prej policëve të pezulluar janë kthyer në Policinë e Kosovës ndërsa, sipas tij, numri i policëve që pritet të kthehen në Policinë e Kosovës është i madh.

“Ne kemi qytetarë nga komuniteti serb që kanë shfaqur interesimin të jenë pjesë e Policisë së Kosovës. Në stacione policore të ndryshme, anë e kënd Kosovës, ekzistojnë listat me emrat, mbiemrat dhe numrat e telefonit që këta qytetarë të interesuar i kanë lënë, me qëllim që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës. Nëse më 30 qershor këta 300 zyrtar nuk kthehen, atëherë me siguri në muajin shtator ose tetor, Policia e Kosovës do të hap konkursin e ri për qytetar nga komuniteti serb që t’i bashkëngjiten Policisë së Kosovës”.

Që nga 17 shkurti i vitit të kaluar, qytetarët serbë kundërshtuan në forma të ndryshme shpalljen e pavarësisë së Kosovës duke shkëputur marrëdhëniet më institucionet e vendit. Njësoj vepruan edhe disa qindra pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serbë. Përkundër vendimit për pezullim, zyrtarët e policisë së Kosovës u kanë bërë thirrje të vazhdueshme kolegëve të tyre të pezulluar që te kthehen në detyrë, për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit dhe ne veçanti pjesëtarëve të komunitetit serb. //bsa//

XS
SM
MD
LG