Lidhje

Engel: Angazhimi amerikan do të vazhdojë në rajonin e Ballkanit


Ligjvenësi demokrat nga Nju Jorku, Eliot Engel, shpreh bindjen për vazhdimësinë e angazhimit amerikan për Ballkanin. Ai tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, i njeh shumë mirë çështjet e Ballkanit, sidomos çështjet e shqiptarëve. Ai shtoi se nuk ka arsye të besojë që politika amerikane nën Barak Obamën do të jetë e ndryshme nga ajo që ishte nën Bill Klintonin. Zoti Engel tha se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bindin vende të tjera që ta mbështesin Kosovën, si edhe u ndal tek gjendja në Shqipëri në prag të zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Engel, ju sapo jeni kthyer nga një udhëtim në Shqipëri, një vend që sapo është pranuar në NATO. Cilat janë përshtypjet e këtij udhëtimi?

Eliot Engel: Ishte diçka shumë e gëzueshme për mua që shkova në Shqipëri dhe pashë se si kishte ndryshuar vendi. Kjo ishte vizita ime e parë që nga pranimi në NATO dhe mendoj se të gjithë ishin shumë të gëzuar që u bënë pjesë e NATO-s. Shqiptarët janë shumë pro amerikanë dhe kudo që shkova më pritën mirë. Mendoj se Shqipëria duket shumë mirë sot. Kur shkon në Tiranë mund të shikosh kafene apo restorante ku njerëzit ulen jashtë. Mu duk si një qytet kozmopolitan europian sepse në vitin 1993 kur isha për herë të parë, në të gjithë Tiranën kishte vetëm 2-3 restorante të mirë. Pra vendi po ecën përpara dhe natyrisht duam ta shkojmë Shqipërinë të bëhet pjesë edhe e Bashkimit Europian dhe kjo është e pashmangshme.

Zëri i Amerikës: Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë zgjedhje në përputhje me standartet ndërkombëtare. Nga ato që patë, a mendoni se këtë herë Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të drejta ashtu siç priten nga një vend anëtar i NATO-s. A keni ndonjë shqetësim për to?

Eliot Engel: Jo. Mendoj se Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të drejta. Shqetësimi im i vetëm për zgjedhjet është çështja e kartave të identitetit. Me sa duket, ka shumë njerëz që ende nuk e kanë marrë kartën. Pata nderin të flisja në Parlamentin e Shqipërisë dhe thashë se ka shumë rëndësi që çdo person i cili dëshiron të votojë duhet të lejohet të votojë prandaj partitë e ndryshme duhet të inkurajojnë njerëzit e tyre që të aplikojnë për kartat. Ka shqetësime se mund të mos jetë fizikisht e mundur që, në një kohë kaq të shkurtër, të gjithë të marrin kartat por më thanë se ky nuk është problem. Problemi është se njerëzit duhet të aplikojnë. Megjithatë shpresoj se kjo do të bëhet dhe nuk do të jetë shqetësim, pra se cilido që dëshiron të votojë do ta marrë kartën.

Zëri i Amerikës: Gjatë udhëtimit tuaj ju vizituat rrugën Durrës-Kukës, por nuk shkuat në Kosovë. Cili ishte synimi i vizitës suaj?

Eliot Engel: Zakonisht kur shkoj në Ballkan për 4-5 ditë dhe shkoj sa në Kosovë, në Shqipëri, Mal të Zi apo Maqedoni, më takon të qendroj vetëm një ose dy ditë në një vend, për shembull vetëm në Tiranë për të bërë takime. Unë desha të shkoj edhe jashtë Tiranës. Në Tiranë ne patëm takime. U takuam me kryeministrin, me ministrin e jashtëm, me presidentin, me udhëheqësin e opozitës. Por ne patëm edhe rastin për të parë rrugën Durrës Kukës, të shkojmë në Shkodër si dhe në Sarandë në jug, vende që nuk i kisha parë kaq nga afër më parë. Pra ishte ide e mirë që u ndala në disa qytete. Herën tjetër, kur të shkoj në Kosovë, do të qendroj atje për disa ditë. U gëzova shumë për rrugën, e cila ka potencialin të kthehet në një përfitim të madh ekonomik për Shqipërinë dhe për të hapur Ballkanin sepse do të vijnë njerëzit nga Kosova. Më thanë se koha për të shkuar nga Prishtina në Tiranë do të shkurtohet të paktën për gjysmë. Në fund të fundit, ajo do të lidhë të gjitha vendet e Ballkanit, si Malin e Zi, Maqedoninë dhe madje Serbinë. Kjo rrugë është një projekt shumë i mirë për Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Engel, ju keni qenë përkrahës i hershëm i çështjeve shqiptare në kongresin amerikan. Sot kur Kosova është e pavarur, ku do e përqendroni vëmendjen për sa u përket çështjeve shqiptare?

Eliot Engel: Natyrisht, ne dëshirojmë që ndihma e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe Shqipërinë të vazhdojë. Unë dëshiroj që Shtetet e Bashkuara të mbështesin jo vetëm pavarësinë e Kosovës por edhe që të bindim vendet e tjera ta njohin Kosovën. Unë kam folur me shumë kryeministra, ministra të jashtëm dhe presidentë apo ambasadorë të cilëve u kam thirrje që vendet e tyre ta njohin Kosovën. Pra kjo është një çështje me të cilën do të merremi. Shqipëria është tani anëtare e NATO-s dhe shpresojmë të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Europian dhe është e nevojshme që ta përqendrojmë edhe këtu vemendjen. Më vonë, besoj se edhe Kosova do të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së. Kemi gjithashtu çështje ekonomike sepse në Kosovë ka papunësi të lartë. Natyrisht është edhe gjendja e tanishme e pushtimit serb të Mitrovicës veriore, të Trepçës dhe të zonave në veri. Kjo është një ndarje de fakto e Kosovës, për mua është e papranueshme. Kufijtë në Ballkan nuk duhet të ndryshohen sepse pastaj ka edhe kufij të tjerë që mund të ndryshohen. Ne duhet të ngulim këmbë që Kosova të mbetet e paprekur dhe e pandarë dhe që qeveria qendrore në Prishtinë të jetë në kontroll të të gjithë Kosovës e jo vetëm e rajoneve ku banojnë shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Kosova është një shtet i ri që ende po përpiqet të sigurojë njohje ndërkombëtare, një vit pas pavarësisë. Cilat janë mendimet tuaja për zhvillimet në Kosovë? A mendoni se po krijohen baza të shëndosha për të ardhmen, apo problemet që po shihen tani si korrupsioni, krimi i organizuar apo trafiqet do të kthehen në shqetësime serioze në të ardhmen?

Eliot Engel: Korrupsioni, krimi i organizuar apo krimi i rrugës, gjithnjë kanë qenë problem, jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri. Mendoj se në Shqipëri janë bërë hapa të mëdha përpara që vendi të jetë më i sigurt përsa i përket krimit të rrugës. Qeveria ka vazhduar ta luftojë korrupsionin, i cili asnjëherë nuk mungon. Edhe në Kosovë korrupsioni është problem i vazhdueshëm. Por mendoj se qeveria në Kosovë po përpiqet ta luftojë atë me sa mundet. Pikërisht këtu është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të monitorojnë dhe ta ndihmojnë qeverinë e Kosovës. Mendoj se Kryeministri Thaçi dhe Presidenti Sejdiu po bëjnë punë të mirë por jo të gjitha mund t’i bësh vetë, megjithë përpjekjet. Ne na duhet ta ndihmojmë Kosovën që të luftojë korrupsionin dhe mafian. Është shumë e vështirë kur në vend ka papunësi të lartë. Njerëzit kërkojnë punë dhe ka individë të dyshimtë që u ofrojnë atyre punë të pandershme prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Shpresoj se EULEX-i do të bëjë punë të mirë. Në Kosovë kemi patur praninë e OKB-së, tani kemi praninë BE-së. Mendoj se kjo mund t’i hapë rrugën Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian shumë më shpejt se sa mund të mendojnë njerëzit. Prandaj, qytetarët dhe qeveria e Kosovës, duke bashkëpunuar me EULEX-in, do të bënin që të anëtarësoheshin më shpejt në NATO. Nuk dua të mbuloj problemet sepse probleme ka, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Por të dy vendet po përpiqen t’i zgjidhin ato dhe kanë nevojë për ndihmën amerikane.

Zëri i Amerikës: A mendoni se Ballkani i ka kapërcyer vështirësitë dhe nuk ka më nevojë për vëmendje të madhe nga Shtetet e Bashkuara? Cili është mendimi juaj për punën që po bën administrata e tanishme për këtë rajon?

Eliot Engel: Mendoj se administrata e re sapo ka filluar të pozicionohet dhe nuk e ka përqendruar shumë vemendjen te Ballkani sepse Presidenti po merret më tepër me ekonominë që është një problem i brendshëm shumë serioz. Ky ka qenë edhe shqetësimi i tij i parë së bashku me çështjen e energjisë, kujdesit shëndetësor dhe arsimit. Mendoj se këto janë përparësitë e tij kryesore. Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, ish senatore e shtetit tim, Nju Jorkut, i njeh shumë mirë çështjet e Ballkanit, sidomos çështjet e shqiptarëve. Ajo e njeh mirë diasporën shqiptare në Amerikë, ka marrëdhënie veçanërisht të ngushta me komunitetin shqiptar të Nju Jorkut. Dhe natyrisht zoti Bill Klinton gjithnjë i ka njohur problemet. Vendimi i tij në vitin 1999 për të bombarduar serbët ishte i drejtë, diçka që edhe unë i bëra thirrja ta ndërmerrte. Mendoj se në formulimin e politikave, Hillari Klinton si sekretare e shtetit do të ketë të bëjë shumë dhe nuk kam arsye të besoj që politika amerikane nën Barak Obamën do të jetë e ndryshme nga ajo që ishte nën Bill Klintonin. Mendoj se ne kemi mbështetje të fortë për Kosovën dhe po përpiqemi të bindim vende të tjera që ta mbështesin Kosovën. E di se është përparësi për këtë administratë që të bindin edhe vende të tjera ta njohin Kosovën. Pra mendoj se mbështetja është dhe do të jetë por thjesht nuk janë formuluar plotësisht politikat e tyre për Ballkanin. Unë merrem edhe me Amerikën Latine si kryetar i nënkomisionit përkatës por gjithnjë do të vazhdoj ta nxis administratën të mbështesë Kosovën dhe Shqipërinë. Unë gjithnjë them se kudo që të shkosh nëpër botë nuk gjen miq më të mirë për Amerikën se sa shqiptarët. Shqipëria dhe Kosova janë dy vende shumë pro amerikane. Ajo që i dallon shqiptarët është se megjithë gënjeshtrat që dëgjonin çdo ditë për Amerikën gjatë 50 vjetëve të regjimit shtypës komunist, ata kurrë nuk i besuan ato. Ata gjithnjë e dinin se amerikanët ishin miq të shqiptarëve. Kur Presidenti Bush shkoi në Shqipëri, ai ishte shumë jopopullor në çdo vend tjetër, duke përfshirë Amerikën. Por në Shqipëri ai u prit si hero sepse ishte president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, unë jam shumë optimist dhe mendoj se kjo është një kohë e mirë për shqiptarët. Ende ka probleme në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Në Mal të Zi vazhdon gjyqi i shqiptarëve që mbahen në burg, problem me të cilin unë nuk jam plotësisht i kënaqur dhe personalisht mendoj se këta njerëz duhet të lirohen. Përsa i përket Maqedonisë, atje herë pas here shfaqen probleme. Kohët e fundit, Presidenti Sejdiu nuk u ftua të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit maqedonas meqenëse atje do të ishte Presidenti serb Tadiç, i cili nuk donte që aty të ndodhej zoti Sejdiu. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte diçka e turpshme dhe skandaloze sepse Maqedonia e ka njohur Kosovën, prandaj Presidenti i Kosovës duhet të ishte ftuar. Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj të fillimit, këto janë disa nga problemet e tjera me të cilat mund të merret grupi i çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan. Kur ka probleme që kanë të bëjnë me shqiptarët ne i vemë ato në dukje dhe duam që publiku të dijë rreth tyre për të bërë ndryshime sa herë që ndiqen politika të padrejta. //bsa//

XS
SM
MD
LG