Lidhje

SHBA - Komisionet ushtarake dhe të burgosurit e Guantanamos


Vendimi i Presidentit Barak Obama për të vazhduar përdorimin e komisioneve ushtarake për të gjykuar personat që mbahen në qendrën e paraburgimit Guantanamo ka befasuar dhe zemëruar aktivistët e të drejtave të njeriut. Kur ishte kandidat për president, zoti Obama kritikonte gjyqet ushtarake, por Shtëpia e Bardhë thotë se rregullat e reja të përcaktuara nga presidenti do t’i japin legjitimitet komisioneve ushtarake.

Menjëherë pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama njoftoi se do të mbyllte qendren e paraburgimit në Guantanamo brenda një viti. Ai po ashtu pezulloi gjykatat ushtarake dhe mblodhi një grup të posaçëm për të punuar mbi të ardhmen e personave të ndaluar në Guantanamo dhe mbi procesin e tyre ligjor.

Ekspertet e të drejtave të njeriut e mirëpritën këtë nismë por edhe paralajmëruan se ata dëshironin të prisnin dhe të shikonin se ku do të dërgoheshin të arrestuarit dhe se si do të zgjidheshin rastet e tyre.

Ende nuk është e qartë se ku do të mbahen të arrestuarit, por dihet tashmë se presidenti do t’u japë zyrtarve mundësinë për ti gjykuar ata në gjykatat civile amerikane ose në versione të ndryshuara të komisioneve ushtarake, të cilat zoti Obama dhe shumë të tjerë i kritikuan gjatë administratës Bush.

“Departamenti beson se këto rregulla do të përmirësojnë procesin,” thotë zëdhënësi i Pentagonit, Brajen Uajtmen.

Ai po ashtu thotë se së shpejti Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts do të informojë Kongresin për pesë ndryshimet kryesore që administrata e re beson se do ti bëjnë komisionet ushtrake më të pranueshme. Ndryshimi i parë përfshin aspektin që ka ngjallur më shumë debate rreth arrestimeve në vitet e para pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

“Informacionet e nxjerra përmes metodave të ashpra jo humane dhe poshtëruese të marrjes në pyetje, nuk do të pranohen më si dëshmi në procesin gjyqësor.”

Zoti Uajtmen thotë se rregullat e reja do të kufizojnë prirjen e qeverisë për të përdorur dëshmitë gojore mbi gjërat që mendohet ose thuhet se kanë ndodhur. Ai thotë se rregullat e reja do t’u ofrojnë më shumë fleksibilitet të arrestuarve në zgjedhjen e avokatësve mbrojtës. Por, aktivistët e të drejtave të njeriut nuk janë të kënaqur.

“Ne jemi vërtet shumë të zhgënjyer dhe të befasuar,” thotë Stejsi Sullivan e Organizatës Amnesty International.

“Komisionet ushtarake janë në thelb me të meta dhe në tetë vitet e fundit ato kanë fituar një reputacion shumë të keq. Ato nuk mund të riparohen,” thotë Sullivan.

Zonja Sullivan thotë se gjykatat federale amerikane janë plotësisht në gjendje për t’i gjykuar këto raste. Ajo e quan vendimin e ri si një hap prapa në përpjekjet për të ofruar një proces ligjor të besueshëm për të arrestuarit.

“Ky vendim paraqet një goditje të rëndë. Presidenti ka qenë shumë kritik ndaj komisioneve ushtarake kur ishte senator. Ai që ditën e dytë të tij në Shtëpinë e Bardhë njoftoi se do të mbyllte Guantanamon dhe pezulloi komisionet ushtarake. Ndërsa tani ai po rikthen në jetë këto komisione. Kjo minon premtimin e tij për të mbyllur Guantanamon.”

Një tjetër shqetësim i grupeve të të drejtave të njeriut që nuk përfshihej në vendimin e Shtëpisë së Bardhë ka të bëjë me mundësinë që disa nga të burgosurit në Guantanamo të mos gjykohen fare por të vazhdojnë të mbahen në burg për një kohë të pacaktuar. Kjo është një çështje për të cilën ekipi i posaçëm i presidentit është ende duke punuar. Po ashtu edhe çështja se ku do të shkojnë të burgosurit pas afatit njëvjeçar të presidentit për mbylljen e Guantanamos që skadon në janar të vitit të ardhshëm.

Të premten, në një njoftim zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, presidenti Obama tha se ai asnjëherë nuk ka qenë kundër gjykatave ushtarake por ka qenë kundër rregullave të krijuara nga administrata Bush. //ii

XS
SM
MD
LG