Lidhje

Ministri i Pushtetit Lokal flet për decentralizimin në Kosovë


Autoritetet në Kosovë besojnë se deri në vjeshtën e këtij viti, kur edhe pritet të mbahen zgjedhjet për pushtetin komunal, të themelohen edhe komunat e reja me shumicë serbe, të parapara në planin e presidentit Martti Ahtisaari.


Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se institucionet e Kosovës bashkë me Zyrën Civile Ndërkombëtare po i bëjnë të gjitha përgatitjet që komunat e reja të jenë të gatshme. Por, ai tërheqë vërejtjen për mëdyshjet e qytetarëve serbë për të bashkëpunuar në procesin e decentralizimit.

“Ekziston vetëm një faktor të cilin akoma nuk e kemi siguruar dhe ai është aktivizimi më i fuqishëm i qytetarëve të komunitetit serb dhe të liderëve të cilët në një masë akoma hezitojnë”, thotë ministri Ferati.

Ai shpreson në bashkëpunimin me e qytetarët e komunitetit serb dhe me udhëheqësit e tyre.

“Shpresojmë se edhe sjellja e Beogradit do të jetë e moderuara dhe se ata do të bazohen në interesin e qytetarëve të komunitetit serb që ata të ekzistojnë në vatrat e tyre, që ata të inkurajohen për të marrë pjesë në këto procese dhe që ata të faktorizohen dhe të marrin të gjitha të drejtat e barabarta si të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që bashkërisht të ndërtojnë perspektivën tyre evropiane”.

Procesi i decentralizimit i cili parasheh krijimin komunave të veçanta me shumicë serbe, është kundërshtuar nga Beogradi dhe një pjesë e qytetarëve serbë, ndërsa qytetarët shqiptarë nuk e shohin me sy të mirë për shkak të shqetësimeve, siç thuhet, për ndarjen e Kosovës në baza etnike.

“Kjo është droja e një pjese të qytetarëve shqiptarë, se ne a po stimulojmë ndarje dhe paralelizëm apo vërtetë mundësi për integrim dhe funksionim. Ndërsa qytetarët e komunitetit serb, një pjesë, nën ndikimin e politikave të Beogradit dhe disa qarqeve ekstreme këtu në Kosovë, konsiderojnë se pjesëmarrja e tyre në këtë proces, dhe marrja e këtyre kompetencave,menaxhimi i të drejtave të tyre, pa ndërhyrje, pa censurë dhe pa majorizim nga niveli qendror, do të dëshmojë se ata kanë nevojë për të drejta dhe kanë nevojë për barazi”, thotë ministri Ferati.

Decentralizimi është cilësuar si një nga proceset më të vështira që dalin nga propozimi i presidentit Ahtisaari, mbi bazën e të cilit Kosova e ka shpallur pavarësinë. Ndonëse cilësohet si proces i domosdoshëm për afrimin e pushtetit me qytetarët, pjesëtarët e komunitetit serb kanë kërkuar që ky proces të mos zbatohet në bazë të planit Ahtisaari. Por autoritetet në Kosovë kundërshtojnë çdo ndryshim të mundshëm në këtë plan, ndërsa shprehen të bindur se decentralizimi i pushtetit komunal do të zbatohet në afatin e paraparë. //bsa//

XS
SM
MD
LG