Lidhje

Presidenti Obama përsërit zgjidhjen me dy shtete për Lindjen e Mesme


Presidenti amerikan Barak Obama dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i dhanë fund takimit në Shtepinë e Bardhë duke ripërsëritur qëndrimet e tyre mbi paqen në Lindjen e Mesme.

Agjencia e lajmeve Reuters citoi zotin Obama i cili rikonfirmoi mbështetjen për një zgjidhje bazuar tek ekzistenca e dy shteteve në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez.

Sipas të njëjtave burime, kryeministri izraelit Netanjahu tha se Izraeli dëshiron që palestinezët të jenë në gjendje të vetëqeverisin. Ai nuk përmendi pavarësinë e shtetit palestinez.

Para takimit, Këshilltari për Siguri Kombëtare i Izraelit pranoi se dy udhëheqësit kanë dallime për sa i përket mënyrës sesi Izraeli duhet t’i qaset çështjes së paqes në Lindjen e Mesme.

Kryeministri palestinez Mahmud Abaz dëshiron që zoti Obama të ushtrojë trysni ndaj Izraelit në mënyrë që Tel Avivi të pranojë një zgjidhje bazuar mbi dy shtete dhe t’i japë fund ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

Nga ana e tij i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme Xhorxh Miçëll ka thënë se zgjidhja bazuar mbi dy shtete duhet të përfshijë një shtet palestinez që bashkëjeton në paqe me shtetit izraelit.//lk

XS
SM
MD
LG