Lidhje

SHBA: Avokatët mbështeten tek teknologjia për të paraqitur provat


Ekspertët ligjorë thonë se avokatët amerikanë shpesh i kthehen teknologjisë për t’i ndihmuar në çështjet gjyqësore. Për më shumë se një dekadë, një numër gjithnjë në rritje i avokatëve kanë përdorur teknologjinë tredimensionale të improvizimit të situatave, apo kriminalistikën mediatike për t’i ndihmuar ekspertët e tyre të paraqesin provat në gjyq. Kompanitë e specializuara në këtë fushë pretendojnë se po ndihmojnë gjyqtarët duke thjeshtësuar provat e komplikuara në një prezantim grafik. Por skeptikët janë të shqetësur se me teknologjinë mund të abuzohet.

Në gjykatën e një distrikti në Florida, tradita përballet me teknologjinë. Ajo është një nga disa gjykatat amerikane që lejojnë teknologjinë për të improvizuar situatat gjatë seancave ligjore. Kompania e Robert Scottit krijon këto improvizime grafike. Ai thotë se imazhet si ky këtu, që improvizojnë shoferin gjatë një aksidenti me makinë mund të ndihmojnë juritë të kuptojnë provat komplekse.

"Gjithçka varet nga mundësia për të kuptuar një situatë dhe për të marrë vendimin e duhur rreth asaj që ka ndodhur".

Kjo skicim tredimensional u paraqit në çështjen gjyqësore të një gruaje e cila u plagos rëndë kur makina e saj e golfit u godit nga një makinë. Zoti Scott thotë se teknologjia e tij tredimensionale është përdorur në rreth 100 çështje.

"Teknologjia është bërë gjithnjë e më e pranueshme nga drejtësia dhe po lejohet gjithnjë e më shumë në prezantimin e provave".

Por disa avokatë thonë se ka mundësi për gabime në këto prezantime. Derek Brett thotë se avokatë të paskrupullt mund të përdorin forcën e teknologjisë për të prezantuar situatën jo me saktësi.

"Me forcën e teknologjisë vjen edhe përgjegjësia dhe në se ka avokatë që nuk duan ta praktikojnë këtë përgjegjësi, atëherë faktet do të paraqiten me gabime".

Zoti Brett thotë se dramat televizive rreth teknologjisë së forcave të rendit dhe kriminalistikës i kanë nxitur disa juristë të kërkojnë teknologjinë e lartë në sallat e gjyqit. Një studim i cituar shpesh tregon se njerëzit i mbajnë mënd më mirë provat kur u paraqiten vizualisht sesa me gojë. Zoti Brett thotë se njerëzit që nuk mund të paguajnë avokatët për këto teknologji mund të vihen në disavantazh.

"Njerëzit që nuk mund të përballojnë këshilltarin e tyre, dhe të tillë ka shumë këto kohë, nuk do të kenë mundësinë të përdorin teknologji të tillë".

Robert Scott thotë se teknologjia kompjuterike zakonisht ndihmon në fitoren e çështjeve kur krahasohet me metodat tradicionale. Ai thotë se teknologjia mund të kushtojë mes 5 dhe 40 mijë dollarëve për të improvizuar një situatë në gjyq.

Zoti Scott parashikon se më shumë konkurrentë do t’u shtohen 24 kompanive amerikane që tani specializohen në improvizimin e situatave për t’u paraqitur në çështjet ligjore. //iç//

XS
SM
MD
LG