Lidhje

Shqipëri: Sot afati për dorëzimin e listave të kandidatëve


Në Shqipëri, sot në mbrëmje mbyllet afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë. Nëse deri më tani në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve janë dorëzuar listat e shumë partive të vogla, dy forcat kryesore politike, demokratët në pushtet dhe socialistët, pritet që t’i dorëzojnë ato në momentet e fundit.

Të dyja palët kanë mbajtur një qëndrim hermetik lidhur me kandidatët me të cilët do të futen në garën elektorale të 28 qershorit, dhe praktikisht gjithçka ka kaluar përmes duarve të kryetarëve respektivë të dy partive. Socialistët, të cilët kanë shpallur edhe programin e tyre elektoral megjithatë kanë përcaktuar në fillim të muajit disa kritere përzgjedhëse. Në këtë listë pritet të përfshihen shumë emra të rinj dhe grash të afruara nga kryetari socialist Edi Rama. Ndërkohë nga Partia Demokratike deri më tani nuk është bërë e njohur asgjë.

Për herë të parë në Shqipëri do të votohet me anë të një sistemi proporcional me lista të mbyllura, i cili favorizon emrat që kryesojnë listat e kandidatëve nëpër të 12 qarqet. Ky sistem ka favorizuar gjithashtu paraqitjen në garë të partive të grupuara në koalicione. Praktikisht do të ketë dy koalicione në secilin krah politik. Koalicioni më i madh është ai i Partisë Demokratike me 19 forca politike, pjesa dërrmuese e të cilave me një peshë thuajse të papërfillshme elektorale. //kk//

XS
SM
MD
LG