Lidhje

Varësia e Amerikës tek nafta, kërcënim ndaj sigurisë kombëtare


Në raport ushtarakët në pension që përbëjnë një grup të quajtur Bordin Këshillimor Ushtarak, thotë se Amerika duhet të fillojë menjëherë të eliminojë varësinë tek karburantet natyrore dhe të shtojë larminë e burimeve të energjisë.

Kreu u bordit është gjenerali i forcës ajrore në pension Çarls Uald.

“Ne arritëm në përfundimin se varësia e Shteteve të Bashkuara në fushën e energjisë përbën një kërcënim serioz dhe urgjent për sigurinë tonë kombëtare. Ky është një kërcënim që mund dhe do të shfrytëzohet nga ata që duan të na dëmtojnë”.

Uald është një nga 12 ish-oficerë të lartë të ushtrisë që e paraqitën raportin në një konferencë shtypi në Uashington.

Gjenerali në pension thotë se varësia e Amerikës tek karburantet natyrore po minon ekonominë e vendit dhe e ekspozon vendin ndaj regjimeve të paqendrueshme dhe armiqësore.

“Kërcënimi i energjisë ka ndikim tek politika jonë e jashtme. Varësia jonë tek nafta dhe jo vetëm tek nafta e huaj, e pakëson peshën tonë në arenën ndërkombëtare dhe disa herë i kufizon mundësitë tona. Them, nafta e çdo burimi pasi thjesht nuk kemi burime të mjaftueshme në këtë vend për të na çliruar nga varësia prej atyre që i kanë ato. Detyrohemi të kemi lidhje me regjime jomiqësore dhe vende jodemokratike thjesht sepse na duhet nafta e tyre”.

Në raport thuhet se përdorimi i joefiçent dhe varësia e tepërt e naftës është një barrë për ushtrinë amerikane, pakëson efektivitetin e luftës dhe sjell një kosto të lartë financiare dhe njerëzore.

Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes thonë se Pentagoni është konsumatori më i madh i energjisë në Shtetet e Bashkuara dhe vitin e kaluar shpenzoi 20 miliardë dollarë në produkte nafte.

Zyrtarët thonë se 70 për qind e autokolonave ushtarake amerikane në Afganistan transportojnë naftë dhe ujë. Në raport thuhet se burime të jashtëzakonshme po përdoren për të mbrojtur këto autokolona si edhe rrugët e transportit përreth vendeve të pasura me naftë në Gjirin Persik.

Gjenerali Uald thotë se një tjetër shqetësim madhor është rrjeti i vjetëruar i energjisë elektrike.

“Ne zbuluam se gjendja e keqe e rrjetit të brendshëm elektrik është në fakt një rrezik serioz pë sigurinë tonë kombëtare. Pothuajse të gjitha objektet ushtarake varen nga rrjeti ynë i brendshëm i energjisë. Nëse ai dëmtohet, elementë kritikë të sistemeve tona ushtarake dhe sigurisë kombëtare mund të dëmtohen dhe të dëmtojnë misionet në vendet e tjera”.

Oficerët në pension i bënë thirrje Departamentit të Mbrojtjes që të ndërmarrë një rol udhëheqës në transformimin e politikave të energjisë në Amerikë.

Ata thonë se Pentagoni mund të stimulojë tregun për teknologji të reja energjitike dhe rritjen e efektivitetit të automjeteve.

Nënadmirali në pension Denis Mekgin thotë se pakësimi i përdorimit të karburanteve natyrore mund të ngadalësojë ngrohjen globale, për të cilin ushtarakët në pension thonë se është gjithashtu një kërcënim për sigurinë kombëtare.

“Ndryshimet e klimës do të përbëjnë kërcënime serioze për rezervat e ujit dhe prodhimin bujqësor. Në të njëjtën kohë do të shohim rritjen e kërkesës për sasinë më të pakët të karburantit natyror. Të gjithë këta faktorë do të thonë që do të ketë një garë e ashpër për burime të nevojshme dhe kjo shkakton konflikt”.

Zoti Mekgin thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përgatiten për konflikte të tilla.

Oficerët në pension thonë se natyra destabilizuese e burimeve të pakta dhe ngrohja globale ka mundësi të shndërrohen gjithnjë e më shumë në arsyet për misionet ushtarake të Shtetet e Bashkuara për pjesën tjetër të shekullit. (ze)

XS
SM
MD
LG