Lidhje

Demokratët  votojnë kundër fondeve për mbylljen e Guantanamos


Demokratët në Senatin amerikan kanë vendosur të mos votojnë për sigurimin e fondeve për mbylljen e burgut të Guantanamos në Kubë derisa administrata e presidentit Obama të prezantojë një plan të detajuar mbi të ardhmen e 240 të burgosurve në këtë burg. Është një hap prapa për zotin Obama, i cili dëshiron ta mbyllë burgun brenda janarit të vitit të ardhshëm. Njofton nga Kapitoli, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deborah Tejt.

Në kërkesën që ia dërgoi Kongresit për më shumë fonde për luftrat në Afganistan dhe Irak, presidenti Obama i kërkoi Kongresit edhe 80 milionë dollarë shtesë për mbylljen e burgut të Guantanamos.

Por, Kongresi, veçanërisht pala republikane, po kritikon gjithnjë e më shumë zotin Obama, pasi ky i fundit nuk hartoi një plan mbi të ardhmen e të burgosurve në Guantanamo para se të shpallte vendimin për mbylljen e këtij burgu para janarit të vitit 2010. Po kështu në Kongres ka shqetësime se disa nga të burgosurit mund të transferohen në tokën amerikane ku të vazhdojnë dënimin apo edhe të lirohen.

Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts ka thënë se rreth 100 të burgosur të Guantanamos mund të transferohen në burgjet brenda Shteteve të Bashkuara.
Javët e fundit, disa legjislatura shtetërore kanë miratuar rezoluta që do të ndalonin që të burgosurit të transferoheshin në shtetet e tyre.

Ditën e djeshme, demokratët në Senat vendosën të mos miratonin fondet për mbylljen e Guantanamos derisa presidenti Obama të jepte detaje mbi fatin e të burgosurve. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Heri Rid, tha se demokratët nuk do t’i miratojnë në asnjë mënyrë këto fonde pa një plan gjithpërfshirës nga ana e Presidentit mbi këtë çështje.

Dhoma e Përfaqësuesve gjithashtu mori të njëjtin hap javën e kaluar. Gjatë një konference shtypi të zhvilluar dje, një grup senatorësh paraqitën një amendament të ligjit për fondet e luftës i cili do të ndalonte që të burgosurit e Guantanamos të silleshin në tokën amerikane.
Mes tyre ishte edhe republikani nga Karolina e Jugut, Lindsi Grehëm:

"Ligjet tona të emigracionit e ndalojnë lirimin e terroristëve brenda Amerikës. Sipas amendamentit që kemi hartuar, të burgosurit e Guantanamos nuk do të mund të lirohen në tokën amerikane pasi nuk kanë një status ligjor për ta bërë këtë. Sipas amendamentit tonë, këta individë do të merresn në dorëzim nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe do të dërgohen më pas në një tjetër shtet”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs pranoi shqetësimi e Kongresit dhe tha se Presidenti do të fliste mbi këtë çështje gjatë një fjalimi ditën e enjtë.

Edhe udhëheqësi i republikanëve në Senat, Miç Mekonëll, tha se shpreson që zoti Obama do ta rishqyrtojë vendimin e tij mbi Guantanamon.

"Kam besim dhe shpresë se Presidenti, pasi ka marrë një mesazh të qartë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati do të nisë ta rishikojë këtë çështje dhe vendosjen e një afati përfundimtar për mbylljen e Guantanamos”.


Por, në Pentagon, zëdhënësi Xhof Morel tha se administrata ka ende plane për ta mbyllur këtë objekt në fillim të vitit 2010.

"Nuk besoj se mbyllja në kohë e burgut është vëbë në rrezik. Mesa po kuptoj planet mbi operacionet për mbylljen e burgut vazhdojnë të jenë në fuqi sipas afatit të vendosur nga Presidenti në urdhrin ekzekutiv."

Senati ka gjasa të miratojë ligjin për shpenzimin e 91 miliardë dollarëve për luftrat në Afganistan dhe Irak si dhe për ndihmën ndaj Pakistanit që kësaj jave. Sipas kushtetutës, versionet e ligjit të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve duhet të përputhen para se ligji përfundimtar të dërgohet për firmën e Presidentit. //ek

XS
SM
MD
LG