Lidhje

Standarte te reja per prodhimin e makinave amerikane



Presidenti amerikan Barak Obama bëri të njohura standartet e reja për makinat dhe kamionët të cilat kërkojnë që automjeti i zakonshëm të mos harxhojë më shumë se 7 litra karburant për çdo 100 kilometra deri në vitin 2016. Rregullorja e re do të vendosë standarte mbarëkombëtare për kufizimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë.

Shtetet e Bashkuara e kanë tashmë një ligj që synon të reduktojë sasinë e karburantit të përdorur nga makinat. Por ndryshimi është se masat e reja që bëri të njohura presidenti Obama synojnë që standartet e rrepta për reduktimin e karburantit të arrihen katër vjet më herët seç kërkohej nga ligji që është tani në fuqi. Me anë të kësaj mase, presidenti po përpiqet të ulë edhe varësinë amerikane nga nafta e huaj. Presidenti Obama ka përfshirë gjithashtu për herë të parë standarte kombëtare për gazet që shkaktojnë efektin serë.

Mark Lakomek udhëton një orë për të shkuar në punë çdo ditë. Ai e bleu këtë Xhip Çeroki në vitin 2005. Çdo tre ditë, ai e mbush makinën me 35 dollarë.

“Më pëlqejnë fuoristradat. Më duken më të sigurta. Unë kam familje. Dhe të gjithë e përdorim këtë makinë.”

Por deri në vitin 2016, kjo makinë do të duhet të ndryshojë. Makinat dhe kamionët e lehtë nuk do të mund të harxhojnë më shumë se 7 litra karburant në 100 kilometra. Kjo masë synon rritjen e efikasitetit në përdorimin e karburantit dhe reduktimin e gazeve të dëmshme. Administrata e presidentit Obama thotë se rezultati do të jetë i barabartë me heqjen e 58 milionë makinave nga përdorimi për një vit.

Por për njerëz si Elizabet Baush, e cila do të blejë një makinë të re, kjo masë pritet ta rrisë çmimin e makinës së zakonshme me një mijë e 300 dollarë. Makina e saj e markës Chevy Tahoe harxhon 20 litra karburant për çdo 100 kilometra.

“Kam pesë vjet që e përdor këtë makinë dhe mendoj se ka ardhur koha të bëj ndryshime.”

Duke bërë të njohur masën dje, presidenti Obama tha se paratë e çmimit të rritur fitohen brenda tre vjetëve duke kursyer në karburant. Ai thotë gjithashtu se kjo përpjekje do ta ulë varësinë e vendit tek nafta.

“Ne do të kursejmë 1,8 miliardë fuçi naftë për çdo makinë që shitet gjatë pesë vjetëve të ardhshme. Kjo sasi është më e madhe se nafta që kemi importuar vitin e kaluar nga Arabia Saudite, Venezuela, Libia dhe Nigeria së bashku.”

Kjo ndodh në një kohë kur paratë e taksapaguesve amerikanë po ndihmojnë prodhuesit amerikanë të makinave të mbijetojnë, megjithëse Krajsleri ka deklaruar falimentimin. Emili Porter thotë se kjo arsye është e mjaftueshme për të bërë ndryshime.

“Meqenëse ne po mbështesim industrinë e makinave, atëherë pse të mos kemi standarte më të rrepta për karburantin që harxhojnë makinat e prodhuara prej tyre?”

Ky njoftim bashkoi shumë ish kundërshtarë: kompanitë e makinave dhe sindikatat, ambjentalistët dhe ligjvënësit. Zoti Obama thotë se ata të gjithë vendosën ta lënë pas të shkuarën për hir të së ardhmes. Dhe Mark Lakomek pajtohet.

“Kjo do të jetë fantastike. Të paktën do të mund të marrim frymë më lirshëm në të ardhmen.”

Masat e reja kërkojnë që prodhuesit e makinave të përmbushin standarte më të rrepta karburanti katër vjet më herët seç synonte ligji që ishte në fuqi. Ato vënë gjithashtu për herë të parë standarte kombëtare për gazet që shkaktojnë efektin serë.//rd//

XS
SM
MD
LG