Lidhje

Kosova përgatitet për vizitën e nënpresidentit Bajden


Autoritetet në Kosovë po bëjnë përgatitjet e fundit për vizitën e nënpresidentin amerikan Xhozef Bajden, i cili pritet të mbërrijë të enjten në mëngjes në Aeroportin e Prishtinës.

Udhëheqësit në Prishtinë e cilësojnë me rëndësi historike këtë vizitë e cila sipas tyre, konfirmon edhe njëherë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe për qytetarët e saj.

Kryeministri Hashim Thaçi, u bëri thirrje qytetarëve që të jenë pjesë e mikpritjes për nënpresidentin amerikan Bajden. “Kjo vizitë është edhe historike dhe vizitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është vizitë e mesazhit edhe për të ardhmen që do të vazhdojnë si mbështetje e fuqishme nga Uashingtoni për shtetin e ri të Kosovës, për shtetin e suksesshëm”, tha kryeministri Thaçi,

Në prag të vizitës së nënpresidentin amerikan, rrugët e Prishtinës janë zbukuruar me flamuj të Kosovës dhe flamuj amerikanë. Qytetarët thonë se do të dalin ta presin nënpresidentin amerikan Bajden në shenjë falënderimi për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës në ndërtimin e saj si shtet.

“Vizita e nënpresidentit amerikan është mbështetje e radhës që Amerika i jep Kosovës. Ne i kemi borxh Amerikës dhe popullit të saj për gjithë ndihmën që na kanë dhënë, andaj zotin Biden duhet ta presim si na ka hije”, thotë një qytetar nga Prishtina.

“Vizitën e zotit Biden e shoh si mbështetje të vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan për Kosovën. E presim si mikun më të mirë. Gjithmonë do të jetë i mirëseardhur ai dhe të tjetër që vijnë me qëllime të tilla”, thotë një qytetar tjetër.

Ndërsa qytetarët shqiptarë në Prishtinë e presin me entusiazëm vizitën e nënpresidentit amerikan Joseph Biden, qytetarët serbë në veri të Kosovës kanë paralajmëruar për nesër protestë kundër kësaj vizite.

Që nga përfundimi i luftës, Kosovën e kanë vizituar dy Presidentë të Shteteve të Bashkuara. Në nëntor të vitit 1999, Presidenti Bill Klinton vizitoi qytetin e Ferizajt, ndërsa dy vjet më vonë, në verën e vitit 2001, Presidenti George Bush vizitoi ushtarët amerikanë në kuadër të KFOR-it në kampin ‘Bondsteel’ në afërsi të Ferizajt.

Vizita e nënpresidentit amerikan Bajden, shënon vizitën e nivelit më të lartë politik pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG